Lidhje

Analistët: Trazirat në Siri me pasoja të mundshme gjeopolitike


Që prej Pranverës Arabe, duket se kaosi ka përshfirë edhe më shumë rajonin, tashmë të dhunshëm të Lindjes së Mesme. Ekspertët mendojnë se sektarizmi që ka shpërthyer në rajon do të pasohet të paktën me përfundimin e shteteve unike e të fuqishme në shumë vende të Lindjes së Mesme. Dy ekspertë flasin mbi të ardhmen e rajonit.

Në vitin 1982, një ish zyrtar i ministrisë së jashtme të Izraelit parashikoi në një artikull mbi politikën e jashtme, i cili nuk tërhoqi shumë vemendje, shpërbërjen e shumë vendeve të Lindjes së Mesme si pasojë e ripërkufizimit të përgjakshëm të kufijve dhe krijimin e shteteve më të vegjël dhe më të dobët mbi baza etnike dhe fetare.

Pas 30 vjetësh, ndërsa në Siri vazhdon lufta civile sektare, disa ekspertë argumentojnë se ai parashikim po mer formë ndërsa nacionalizmi po shpërbëhet dhe diçka më e madhe dhe më e vjetër po mbizotëron.
Ekspertët besojnë se lufta civile në Siri shënon fillimin e fundit të marrëveshjes që ndau Perandorinë Otomane pas Luftës së Parë Botërore dhe krijoi Lindjen e Mesme moderne.

Hisham Jaber, gjeneral në pension i ushtrisë libaneze dhe drejtor i një organizate politike në Bejrut, beson se përfundimi i mundshëm i luftës civile në Siri është shpërbërja e këtij vendi. Ai parashikon se Alavit, anëtarë të një sekti të fesë islamike Shia, dhe të krishterët do të bashkohen përgjatë bregdetit të Sirisë, ndërkohë që kurdët dhe myslimanët suni do të krijojnë shtetet e tyre të veçanta. Ai paralajmëron se një skenar i tillë do të ketë pasoja shkatërrimtare.

“Unë mendoj se uniteti i Libanit, Turqisë, Jordanisë ose Irakut nuk do të jetë fare i sigurtë dhe i garantuar”.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin Amerikan në Liban, Bassel Saloukh, e pranon këtë argument. Ai thotë se kryengritjet e Pranverës Arabe, bashkë me rivalitetin gjeopolitik të sunive në Arabinë Saudite dhe shitëve të Iranit, e kanë çuar rajonin në situata të pashembullta dhe të rrezikshme.

“Mendoj se e vetmja mënyrë që këto vende të ruhen si entitete politike është që të eksperimentohet një farë marrëveshje për ndarjen e pusahtetit mbi baza etnike dhe sektare”.

Ai thotë se Libani mund të shikohet fare mirë si model për ndarjen e pushtetit prej vendeve të tjera, nga Siria deri në Jordani.

“Libani shërben sot si model për vende si Iraku, Bahreini, Jemeni, Siria dhe Jordania në të ardhmen. Në këto vende, ku pushteti shtetror nuk ekziston, nuk ka më pasoja për grupet e ndryshme etinike dhe sektare, që jetojnë së bashku”.

Por as modeli libanez nuk po funksionin aq mirë, thotë profesori Saloukh. Dhe nëse kjo është shpresa më e mirë për Sirinë dhe disa vende të tjera të Lindjes së Mesme, e ardhmja do të jetë e vështirë.

“Ekziston një ndjenjë në atë vend dhe kjo shikohet krysisht mes maronitëve se marrëveshja për ndarjen e pushtetit nuk po funksionon sepse ajo është e bazuar mbi një shtetet të qendrës. Maronitët, që e krijuan këtë vend, e gjejnë veten në pozita të një klase të tretë pas Sunive dhe Shiave, madje ata shikojnë përreth tyre se i gjithë rajoni është përfshirë nga trazirat”.

Analistët thonë se Lindja e Mesme duket se po shkon drejt një të ardhmeje me shtete të dobët e ndoshta më të vegjël, të ndarë përgjatë linjave sektare dhe aq të dobët sa që nuk do të jenë në gjendje t’i rezistojnë ndikimit të Arabisë Saudite, Iranit ose fuqive perëndimore ose të parandalojnë aktivitete të elementëve jo-shtetrorë si al-Kaida.
XS
SM
MD
LG