Lidhje

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon protestat


Lëvizja Vetëvendosje vazhdon protestat
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon protestat

Në Kosovë lëvizja Vetëvendosje edhe sot u hodh në protesta duke synuar të bllokojë vendkalimet kufitare me Serbinë për të mos lejuar hyrjen e mallrave të saj në Kosovë. Policia ka ndaluar protestuesit disa kilometra larg vendkalimeve kufitare në Merdarë në veri të Prishtinës dhe Dheu i bardhë në lindje të Kosovës.

Me moton “Serbia nuk kalon”, protestuesit bënë thirrje për vendosjen e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Ndryshe nga 14 janari pjesëmarrja ishte më e madhe, mirëpo deri tash nuk ka pasur ndonjë incident.

Një javë më parë mbi 50 persona u lënduan, ndërsa 15 veta u arrestuan gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestat e lëvizjes Vetëvendosje, e cila akuzoi qeverinë për moszbatim të vendimeve të Parlamentit dhe për dhunë ndaj protestuesve, shqetësime që ishin ngritur edhe nga organizatat humanitare.

Autoritetet u zotuan se do të hetojnë çdo rast të mundshëm të përdorimit të forcës së tepruar. Autoritetet thanë sot se do të veprojnë në pajtim me ligjet dhe nuk do të lejohet bllokimi i vendkalimeve kufitare e as pengimi i lëvizjes së lirë.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se protestat e sotme janë në funksion të mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe prodhimit vendas dhe se ato do të vazhdojnë për të nxitur zbatimin e masave të ndërsjella me Serbinë.

“Policia është dashur të na lejojë neve rrugëtimin e mëtutjeshëm deri në afërsi të pikës në Merdare dhe qëllimi ynë nuk është që t’i bllokojmë qytetarët, por ta pengojmë Serbinë”, tha zoti Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ndryshoi qëndrimin e saj pavarësisht se të premten Parlamenti i Kosovës miratoi një mocion me të cilin u shfuqizua mocioni i 7 dhjetorit që detyronte qeverinë të zbatojë reciprocitet të plotë me Serbinë.

Protesta e sotme po ndiqet nga përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Avokatit të popullit dhe disa organizatave tjera humanitare.

Ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së, në Kosovë, ambasadori William Walker po ndjek protestat për të parë nga afër siç tha zhvillimin e tyre posaçërisht pas përleshjeve të një jave më parë. Ai tha se përderisa protesta është paqësore, nuk duhet të ketë arsye për ta kundërshtuar atë.

Qeveria i quan protestat e panevojshme

Qeveria Kosovës nëpërmjet një komunikate ka theksuar se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe kjo e drejtë nuk do të vihet asnjë herë në pikëpyetje, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të keqpërdoret nga askush dhe për asnjë qëllim.

Qeveria e cilëson protestën e sotme të krejtësisht të panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Parlamentit të Kosovës, e cila siç thuhet, ka shkaktuar vështirësi në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen. Qeveria në komunikatë, shpreh, siç thuhet konsideratën e saj të lartë për qytetarët e Kosovës, të cilët janë distancuar nga veprimet e tilla të panevojshme politike të nxitura nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat në mënyrë serioze e dëmtojnë imazhin e shtetit tonë.

Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët e saj se është shumë e përgjegjshme në respektimin e vendimeve të Parlamentit të Kosovës, të cilat janë në përputhje me aspiratat për integrime euro-atlantike. Prandaj, protestat politike të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të mund të lëkundin themelet e shtetit demokratik, i cili është i përcaktuar për fqinjësi të mirë, për ekonomi të tregut të lirë dhe për integrime euro-atlantike, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq një pjesë e partive opozitare i kanë bërë thirrje Vetëvendosjes për protesta të qeta, ndërsa policisë të tregohet e përmbajtur, për të shmangur përvojën e 14 janarit.

XS
SM
MD
LG