Kompania private e teknologjisë së eksplorimit, SpaceX, e konsideron një sukses të madh lëshimin e djeshëm të raketës së saj dhe realizimin e rikthimit në një platformë në det të hapur të pjesës shtytëse të raketës. Kjo arritje konsiderohet si një nxitje e rëndësishme për industrinë e eksplorimit të hapësirës me kosto tashmë të zvogëluara.
Pasi u realizua me sukses lëshimi i raketës Falcon 9, kamerat filmuan se si vetëm pak minuta pas nisjes së raketës me lartësi prej 23-katesh, pjesa e saj e poshtme u shkëput dhe u rikthye drejt platformës së nisjes. Kjo është një arritje thelbësore për kompaninë e zotëruar nga Elon Musk, i cili synon të zhvillojë raketa të ripërdorshme, si një mënyrë për uljen e kostove dhe nxitjen e industrisë së eksplorimit të hapësirës.
Lëshimi i djeshëm ishte misioni i parë i suksesshëm që prej një viti drejt stacionit hapësinor. Qershorin e vitit të kaluar, raketa e kompanisë shpërtheu në flakë për shkak të keqfunksionimit të paisjeve.
“Mendoj se është një arritje e rëndësishme për të ardhmen e fluturimit në hapësirë dhe një tjetër hap drejt yjeve. Për më shumë qasje drejt hapësirës, duhet të realizojmë ripërdorimin e paisjeve. Fakti që e arritëm këtë radhë me shtytësin e raketës, do të ketë një ndikim të madh në uljen e kostove,” u shpreh Elon Musk.
Mjeti hapësinor mbart furnizime dhe paisje për eksperimentet që do të kryhen në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor dhe pritet të mbërrijë atje nesër.