Është 92 vjeçari Lekë Tasi, një ish i pëndjekur politik i regjimit komunist dënuar me 15 vite internim, i cili përpara një grupi të rinjsh të qytetit të Shkodrës tregon historinë e jetës së tij dhe familjes në komunizëm. Ai ka pranuar të jetë në qendër të performancës teatrore “NOE 2”, ideuar nga shkrimtari dhe studiuesi Stefan Çapaliku për të sjellë përpara publikut shqiptar historitë e trishta të vuajtjeve dhe përndjekjeve gjatë regjimit komunist.
"Jo peng, por shumë ankesa kam ndaj reagimit që bëjnë shqiptarët ndaj vuajtjes. Kjo është shekullore, ndoshta është edhe një tipar i atij që vështron përpara dhe nuk sheh mbrapa. Këtë e ka shqiptari. Po ama bota e regjistron gjithçka. Edhe ne dalim mangut. Shekujt janë mangut nga dëshmitë e shqiptarëve".
Autor i librit me kujtime nga internimi “Gabrani rrëze kodrave”, Lekë Tasi apelon që njerëzit të jenë me mendje të hapur duke mos harruar të shkuarën.
"Edhe krimet duhen thënë troç. Është i rrezikshëm edhe projektimi i atyre krimeve në jetën e sotme me anën e pasardhësve që e kanë si një filtër në sy, ose si një vel që të mbrojnë kategorinë e ish komunistëve. Duhet që të gjithë të kenë mendje të hapur."
Për shkrimtarin Stefan Çapaliku, i cili është edhe regjisor i performancës teatrore “NOE 2”, figura e Lekë Tasit, vuajtjet dhe qendresa e tij, dëshmojnë se vetëm njerëzit që besojnë mundet t’ja dalin.
Facebook Forum