Në Shqipëri vetëm marijuana e prodhuar në fshatin Lazarat, nëse do të shitej me pakicë në tregjet europiane do të kpate një vlerë prej 4.5 miliard eurosh. Këtë e bëri të ditur sot komandanti i repartit të aviacionit të Guardia di Finanza-s italiane Stefano Bastoni, i cili i dorëzoi autoriteteve të policisë shqiptare të dhënat mbi praninë e plantacioneve të mbjella me Canabis sativa të cilat u realizuan falë angazhimit dy mujor të avionëve të specializuar. Janë të paktën 304 plantacione të lokalizuara në zonat e Gjirokastrës, Vlorës, Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës
Për vite të tëra fshati i Lazaratit në jug të vendit është identifikuar si simboli i kultivimit të canabisit, por sot për herë të parë të dhënat e ofruara nga Guardia di Finanza italiane e cila prej fillimit të gushtit realizoi me anë të avionëve të specializuar identifikimin e zonave të kultivuara me këtë bimë narkotike, ofruan një panoramë të përmasës së këtij fenomeni. “Eshtë identifikuar në mënyrë tejet të detajuar ajo që nga qielli duket si një sipërfaqje e vetme prodhimi, zona e Lazaratit, e cila e vetme ka 319 hektarë terren të kultivuar me cannabis, e barabartë me po kaq fusha futbolli, që prodhojnë afër 900 ton produkt të përfunduar, të cilët të hedhur në tregun europian, me një cmim prej 5 eurosh grami do të vlente 4.5 miliard euro”, deklaroi Stefano Bastone, komandant I repartit të aviacionit të Guardia di Financa-s, italiane
Një shifër e cila ngjan marramendëse duke qenë se është vetëm pak më e vogël se gjysma e prodhimit të Brendshëm bruto të Shqipërisë. Të dhënat për Lazaratin i janë nënshtruar një përpunimi në një nga Universitetet e specializuara italiane dhe janë kryqëzuar edhe me imazhet dixhitale të marra nga një satelit izraelit.
Avioni i Guardia di Finanza-s italiane ka kryer misione dhe në zona të tjera të vendit. “Përmes të dhënave të marra në dy muaj në 25 misione fluturimi janë monitoruar 3618 kilometra katror sipërfaqe, e barabartë me afër 12.5 përqind të sipërfaqes së Shqipërisë. Përpunimi I të dhënave ka bërë të mundur identifikimin me një saktësi maksimale të 304 plantacioneve të cilat prodhojnë afër 4.5 ton produkt final”, shpjegoi zoti Bastone.
Avioni italian ka vëzhguar zona të cilat ishin përcaktuar si më problematiket nga autoritet e policisë shqiptare. “Zonat e identifikuara si me problematike gjatë këtij viti ka rezultuar të jenë Qarqet Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Tiranë dhe Durrës. Nga analiza e bërë rezulton se kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla të kultivuara larg zonave të banimit dhe kryesisht në zona të thella malore. Ndërkohë sa i përket autorëve mund të themi se ashtu si vitet e mëparshme, në shumë raste autorët janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre dhe kanë zhvilluar këtë aktivitet kriminal, në zona të tjera, duke shfrytëzuar lidhjet shoqërore e miqësore të tyre”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Hysni Burgaj.
Drejtori i Policisë njoftoi se ka nisur ndërhyrja në zonat e lokalizuara si plantacione me cannabis: “Deri në këto momente janë identifikuar dhe asgjësuar sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike në 108 raste, ku janë asgjësuar rreth 14.772 rrënjë bimë narkotike, si dhe janë proceduar 36 shtetas (23 janë arrestuar e ndaluar, 3 ndiqen në gjendje të lirë dhe 10 janë shpallur në kërkim)”.
Drejtori i policisë shqiptare tha se operacionet e ndërhyrjes në plantacione do të vazhdojnë në të gjithë territorin e vendit. Ai u shpreh se pjesa më e madhe e marijuanës është arritur të kapet përpara se të kalojë kufirin, duke përmendur shifrat e vitit të kaluar ku llogaritet të jenë sekuestruar mbi 21 ton. Por krahasuar kjo, me prodhimin që sipas të dhënave të sotme, realizohet vetëm në Lazarat, shifrat janë shumë të ulta. Policia shqiptare megjithë premtimet e herëpashershme duket se ka dështuar në ndërhyrjet e saj në këtë fshat të jugut, ku vjet përpjekjet për të prishur disa plantacione hasën dhe në rezistencën e armatosur të narkotrafikantëve.