Një lagje në Bruklin të Nju Jorkut mahnit vizitorët me dritat spektakolare që janë vendosur për Krishtlindje. Kjo traditë në lagjen “Dyker Heights” ka bashkuar njerëzit për tre dekada.
Është një nga lagjet më mahnitëse dhe të zbukuruara në Nju Jork, gjatë sezonit të festave. Lagjia “Dyker Heights” në Bruklin ka bashkuar njerëzit për tre dekada me spektaklin e dritave.
“Është e gjitha një energji pozitive. Nuk është një çështje politike, të gjithë janë bashkë, të gjithë e shijojnë këtë atmosferë festive. Është një gjë e bukur, diçka që të gjithë mund ta kenë”, thotë Ron, pronar i një shtëpie në këtë lagje.
Ai e bleu shtëpinë në vitin 2014. Që nga ai vit, për çdo Krishtlindje ai ka marrë gjithë e më shumë drita apo zbukurime të tjera. Por ai ka edhe një kritikë…
“Nuk ka vizion, të gjithë vendosin zbukurime në mënyra të ndryshme. Disa njerëz kanë drita të bardha, disa kanë drita me ngjyra”, thotë Ron.
Por si nisi kjo traditë në këtë lagje, e tregoi për Zërin e Amerikës në vitin 2019 zonja Lucy Spata:
“Në vitin 1986, u transferova në këtë lagje dhe zbukurimet e para u bënë në kujtim të nënës sime. Unë kisha të vetmen shtëpi në atë kohë me zbukurime. Në fillim të gjithë patën ankesa por më pas banorët nisën të zbukuronin shtëpitë dhe mori përmasa të mëdha që unë kurrë nuk e mendoja se do të merrte”.
Pasi viti 2020 kaloi me zymtësi për shkak të pandemisë së koronavirusit, këtë vit turistët dhe banorët vendas që janë të mbrojtur nga vaksinat dhe duke përdorur maska kanë shëtitur në rrugët e lagjes “Dyker Heights”.
“Ne erdhëm nga Çikago. Ne po e shijojmë ditën këtu. Është kaq bukur, krejtësisht ndryshe”, thotë një banor nga Çikago.
“Unë jam në fakt nga Nju Jorku, po kjo është hera e parë që e shoh këtë lagje. Do të doja të isha këtu kur isha fëmijë”, thotë një tjetër qytetar.
Por ka dhe nga ata pronarë shtëpish që zbukurimet dhe dritat i bëjnë për të ndërgjegjësuar njerëzit, për kauza të veçanta. Kjo shtëpi është e mbuluar nga diritat jeshile për adoleshentin Michael, i cili vuan nga distrofia muskulare.
“Michael vuan nga distrofia muskulare, që është një sëmundje e cila prek të gjithë muskujt e trupit të tij. Kjo shtëpi me këto drita është për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit. Këtu ka mbi 50 mijë drita ato janë gjithashtu simboli i distrofisë muskulare”, thotë zoti Robert Capolongo.
Sipas tij pronari i kësaj shtëpie e ka ndihmuar të mbledh mbi dy milionë dollarë për hulumtimin e distrofisë muskulare.
Pra kjo është një lagje që vazhdon të sjellë shpresë dhe gëzim, edhe në kohët më të vështira.
Facebook Forum