Lidhje

Kuvendi i Republikanëve dhe stuhia tropikale Isaac


Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara po bën përgatitjet përfundimtare për kuvendin e saj në Florida dhe me vëmendje po vëzhgon stuhinë e madhe që në fillim të javës së ardhshme pritet të godasë brigjet perëndimore të shtetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Heinlein njofton se parashikimi i fundit i motit i ka dhënë shpresë organizatorëve të kuvendit.

Meteorologët thonë se stuhia tropikale Isaac nuk është aq e fuqishme sa ç’mendohej më parë ndërkohë që vazhdonë të kaloj përmes Oqeanit Atlantik në drejtim të Gjirit të Meksikës. Parashikimet e fundit tregojnë se stuhia pritet të lëvizë më në perëndim se sa pritej më parë. Ajo tani po kalon Haitin dhe Kubën dhe është duke shkuar në drejtim të anën perëndimore të Floridës. Tampa, qytetit ku javën e ardhshme do të zhvillohet kuvendi i Partisë Republikane, ndodhet në anën përëndimore të Floridës.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Uraganeve, Rick Knabb, thotë se është e pamundur të parashikohet saktësisht kursi i kësaj stuhie.

“Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë forme do të marrë stuhia Isaac këtë fundjavë pasi të kalojë Kubën. Pra, nuk është i sigurtë drejtimi dhe intensiteti i stuhisë dhe kjo është arsyeja pse ne nuk mund të themi saktësisht se cila pjesë e Floridës do të përfshihet nga erëra të fuqishme, shira të rënda, përmbytjet dhe stuhitë”.

Zoti Knabb thotë se po bëhet çdo gjë që është e mundur për të monitoruar lëvizjen e stuhisë Isaac, përfshirë dislokimin e aeroplanëve që fluturojnë direkt mbi syrin e stuhisë.

Kuvendi i Partisë Republikane pritet t’i fillojë punimet të hënën në Tampa, pikërishtë në kohën kur stuhia mund të kalojë nëpër këtë zonë. Guvernatori republikan i Floridës Rick Scott thotë se planet për këtë ngjarje që do të transmetohet në televizonet kombëtare po lëvizin ashtu siç ishte parashikuar, pavarësisht nga moti.

“Tani për tani gjërat po shkojnë ashtu siç janë parashikuar. Ne do të kemi një kuvend madhështor. Ne mirëpresim ardhjen e delegatëve dhe do të kujdesemi për sigurinë e tyre. Ne në Florida jemi të mësuar më gjëra të tilla. Jemi një shtet mikpritës që di si të përgatitet për uraganët”.

Zëdhënësi i Komitetit Kombëtar Republikan Sean Spicer i tha kanalit televiziv CNN se kuvendi i Partisë Republikane nuk do të anulohet.

Kuvendi katër ditor do të përfundojë të enjten. Ngjarja kryesore e kuvendit do të jetë emërimi zyrtar i ish guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney në postin e kandidatit republikan për president.
XS
SM
MD
LG