Lidhje

Kufijtë pas Luftës së Parë Botërore


Fundi i Luftës së Parë Botërore për shumë njerëz nënkupton fundin e një epoke të perandorive dhe krijimin e shteteve moderne. Regjime të lashta nga lindja në perëndim u shembën dhe harta e botës, pothuajse e pandryshuar për shekuj me radhë, papritur u transformua rrënjësisht kur vendet fituese përcaktuan kufijtë.
Ky është Parisi, …është qershor 1919.

Lufta e ashpër globale ka përfunduar, por ndarja e përfitimeve sapo ka filluar. Kryeministri francez Georges Clemenceau qëndron në shkallët e Pallatit të Versajës duke pritur kryetarë shtetesh dhe delegacionesh të shqetësuar në lidhje me kufijtë e diskutueshëm.

Disa mbërrijnë me shpresën për krijimin e shteteve të reja. Të gjithë gjenden aty për të qenë të pranishëm gjatë nënshkrimit të Traktatit të Versajës, një traktat që vendos kostot për paqen, që do të paguhen me territore.

Në bibliotekën e Shoqatës Gjeografike Mbretërore, historiani Prof. Mike Heffernan shqyrton harta të famshme të viteve 1913 dhe 1920, pra para dhe pas luftës.

"Shumë prej ekspertëve që u thirrën për të këshilluar dhe për të ndikuar tek delegacionet kombëtare, të cilat ishin mbledhur në Paris për të negociuar hartën e re të Evropës, nuk ishin ekonomistë, ata ishin kryesisht historianë, gjeografë apo akademikë me trajnim klasik të Oxfordit për shembull, që nuk ishin domosdoshmërisht të vetëdijshëm apo të ndërgjegjshëm për krijimin e një botë të re evropiane të integruar ekonomikisht dhe të qëndrueshme," thotë Prof. Heffernan.

Baronesha Shirley Williams është anëtare e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar (Dhoma e Lordëve). Nëna e saj, Vera Brittain, shërbeu si infermiere në luftë dhe më vonë shkroi një libër mbi përvojat e saj.

"Lufta e Parë Botërore ishte në radhë të parë varri i perandorive. Para kësaj lufte perandoritë dominonin të gjithë botën perëndimore."

Ajo përmend shtrirjen e gjerë të dy perandorive kryesore të kohës, asaj Otomane dhe asaj Austro-Hungareze:

"Perandoria Osmane e cila sundonte mbi pothuajse të gjithë Lindjen e Mesme, dhe që natyrisht udhëhiqej nga Sulltani i Turqisë, arrinte deri në Kaukaz, në zonat që tani ne i njohim gjithashtu si zonat më revolucionare të Bashkimit Sovjetik. Ajo ishte një perandori kyçe dhe u shkatërrua plotësisht nga Lufta e Parë Botërore. Perandoria e dytë e madhe, e cila u shkatërrua për pjesën më të madhe të saj, ishte Perandoria e Habsburgëve, në një farë mënyre një perandori shumë civilizuese, e cila kontrollonte një pjesë të madhe të asaj që sot quhet Evropa Qendrore dhe Evropa Lindore."

Para Luftës, bota ishte kryesisht perandorake dhe një çështje familjare. Mbreti George V i Britanisë, Kaiseri i Gjermanisë Wilhem II që sundonte Austro-Hungarinë dhe cari rus Nicholas II ishin të gjithë kushërinj të parë. Por Lufta ndryshoi shumë kufij:

"Polonia u rithemelua në Lindje, si dhe u formuan Republikat Balltike të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Perandoria austro-hungareze, kjo zonë e madhe në pjesën jugore të Evropës u nda në një varg shtetesh më të vogla: si vetë Austro-Hungaria por edhe republika e re federale e sllavëve në jug, Jugosllavia," thotë Prof. Heffernan.

Një mungesë e dukshme në nënshkrimin e Traktatit të Versaijës ishte delegacioni i carit Nikolla, i cili tashmë ishte rrëzuar nga revolucioni rus, që më pas do të kishte vetë ndikim në krijimin e hartave të reja të Evropës, në shekullin e 20-të.

Ndryshimet në Lindjen e Mesme ishin po aq të mëdha.

Profesoresha Margaret MacMillan e Universitetit të Oksfordit beson se bota do të mund të dukej shumë ndryshe nga sot, nëse osmanët do të mund të kishin vazhduar zgjerimin:

"Perandoria Osmane natyrisht kishte qenë e rëndësishme në historinë e Lindjes së Mesme dhe të Evropës, por do të shtoja se ata për pak sa nuk morën dhe Vjenën, dhe në atë rast do të kishim pasur një histori shumë ndryshe. "

Ndryshimet në Lindjen e Mesme prej Luftës së Madhe janë ende shkak zemërimi, dhune dhe mosbesimi, një shekull më vonë, thotë baronesha Williams:

"Ajo që ndodhi pas Luftës së Parë Botërore, pas Traktatit të Versajës, ishte se udhëheqësit e ndanë Lindjen e Mesme dhe krijuan shtete të ndryshme në zonën e Palestinës. Ata krijuan marrëdhënie për vende si Jordania për fqinjët e tyre. Ata nuk dinin shumë mbi Islamin dhe prandaj nuk e morën parasysh faktorin fetar. Për këtë arsye ajo që u krijua nga Lufta e Parë Botërore ishte një strukturë artificiale e cila që atëherë ka qenë burim zemërimi të madh, dhune dhe refuzimi në Lindjen e Mesme. Ende nuk kemi filluar ta kuptojmë siç duhet Lindjen e Mesme."

Izraeli nuk u krijua zyrtarisht deri pas Luftës së Dytë Botërore, por MacMillan thotë se gjatë Luftës së Parë u hodhën themelet e shtetit hebraik.

Por ndryshimet e mëdha që solli për kufijtë Lufta e Parë Botërore nuk do të ishin të përhershme. Rreth dy dekada më vonë një luftë tjetër do të përfshinte botën.

XS
SM
MD
LG