Lidhje

Kuçi: “Jap dorëheqje nëse nuk ndryshon Kodi Penal i Kosovës”


Thirrjeve drejtuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të mos e nënshkruaj dhe të rikthejë në Parlament Kodin e ri Penal të Kosovës, i cili përfshinë dy nene të diskutueshme që kanë të bëjnë me mediat, u është bashkuar sot edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi. Duke komentuar shqetësimet rreth Kodit të ri dhe reagimet e shumta që ka nxitur miratimi i tij në Parlamentin e Kosovës më 20 prill, zoti Kuçi, që njëherësh është edhe ministër i drejtësisë, tha se do të japë dorëheqje nëse Kodi nuk ndryshohet. Ai tha se rendi dhe ligji, mediet e lira dhe shoqëria civile, janë matësit e zhvillimit demokratik të një vendi.

“Unë po e them publikisht, atë ditë kur unë e kam nënshkruar heqjen e nenit 37 dhe 38 kam menduar. Unë po kërkoj nga presidentja e Republikës së Kosovës që t'i kthej këto dy nene në Kuvendin e Kosovës. Ajo e ka mandatin e saj kushtetues, nëse nuk e bën një gjë të tillë, unë po e premtoj publikisht që si ministër i Drejtësisë do ta amandamentoj kodin prapë, do ta dërgoj prapë në Kuvend duke i hequr ato dy nene. Po ashtu, po e them publikisht, nëse ato dy nene hyjnë në fuqi më 1 janar, unë më 1 janar do të jap dorëheqje nga pozita e ministrit”, tha zoti Kuçi.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, Arben Ahmeti, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se ky qëndrim është i mirëseardhur por i vonuar dhe ai pasoi protestat dhe qëndrimin e përbashkët të medieve kundër këtij Kodi i cili siç thotë, fundosë lirinë e shtypit.

“Ajo çfarë ka bërë sot zëvendëskryeministri fatkeqësisht është e vonuar për shkak se ai e ka pasur mundësinë si sponsorizues i ligjit që fare të mos i dërgoj këto dy nene në përbërjen e kodit, e pastaj edhe kur i ka dërguar, ka mundur të përdorë forcën e tij si nënkryetar i partisë më të madhe në vend, si zëvendëskryeministër i koalicionit i cili po e udhëheq vendin, për ta ndryshuar. Por, tash kur vetëm është faktorizuar çështja, vetëm kur realisht ka mbështetje të jashtëzakonshme të komunitetit të gazetarëve dhe dihet që ligji do të ndryshojë, kemi edhe këtë deklaratë të zëvendëskryeministrit e cila megjithatë është e mirëseardhur”, tha zoti Ahmeti.

Kundër Kodit të ri Penal kanë reaguar edhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve. Organizata Reporterët pa kufij, ajo për mediet në Evropën Juglindore etj, të cilat kanë vlerësuar se nenet e diskutueshme kanë për qëllim heshtjen e atij lloji të gazetarisë dhe raportimit hulumtues, që e bën qeverinë të mos ndjehet rehat”.

Edhe gazetarët vendas por edhe organizatat ndërkombëtare tërheqin vërejtjen se nenet e reja, nuk e përcaktojnë qartazi se cilat janë veprat penale që mund të kryhen me anë të medieve dhe kjo u lë mundësinë gjykatësve e prokurorëve që të interpretojnë kodin sipas vullnetit të tyre. Në nenin 38 të Kodit Penal, i tillë çfarë është miratuar, thuhet se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”. Sipas gazetarëve zbatimi i tij rrezikon gazetarinë hulumtuese, e cila edhe ashtu është e kufizuar në Kosovë.

Zoti Ahmeti është i bindur se Kodi do të kthehet mbrapsht. “Kodi do të kthehet sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Edhe nëse mbetet aty, ka një unitet të jashtëzakonshëm të mediave që të mos e respektojnë, që të mos bien pre e kërcënimeve me burg dhe çka është më interesante, ka një disponim të jashtëzakonshëm që të ketë bojkot të pakufishëm për institucionet të cilat e vendosën këtë kod me këto dy nene”, theksoi zoti Ahmeti.

Mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë ende nuk e kanë komentuar Kodin, siç është thënë në pritje të veprimeve të institucioneve vendase, posaçërisht presidentes së vendit e cila duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Në presidencën e Kosovës thonë se ende nuk a kane marrë Kodin nga Parlamenti, ndërsa shoqatat e gazetarëve janë të bindura se presidentja nuk do ta nënshkruajë atë.

XS
SM
MD
LG