Lidhje

"Ku është Boris?" - një refren në zonat e përmbytura të Anglisë


Në disa pjesë të Anglisë së Jugut dhe të Uellsit, njerëzit po presin në ankth nëse lumenjtë kryesorë do të thyejnë barrierat dhe do të shkaktojnë vërshime. Sinoptistët parashikojnë shira të mëdha për disa zona tashmë të përmbytura për shkak të prurjeve nga dy stuhi të fuqishme që ndoqën njëra-tjetrën.

Vazhdimi i përmbytjeve që kanë zgjatur katër ditë mund t’i bëjë edhe më të rrezikshëm lumenjtë tashmë të fryrë, thonë parashikuesit e motit.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë britanike të Mjedisit, John Curtin, tha se pritet që moti me shira të vazhdojë, duke sjellë rreziqe të mëdha për vërshime në Midlandet Perëndimore.

Përmbytjet e pashembullta që kanë goditur Anglinë e Jugut, dhe që tani po kërcënojnë për dëme edhe në veri, nuk kanë shkatërruar vetëm shtëpi dhe prona, por edhe reputacionin e një qeverie të zgjedhur vetëm dy muaj më parë, thonë analistët.

Banorët e goditur nga përmbytjet ekstreme po kritikojnë me zemërim kryeministrin Boris Johnson, i cili nuk ka shkuar t’i vizitojë komunitetet e prekura nga stuhitë. Mijëra njerëz janë evakuuar. Megjithatë, zoti Johnson dhe ministrat e tij kryesorë nuk kanë lëvizur për t’iu gjendur pranë njerëzve të prekur.

Në komunitetet e përmbytura më rëndë është bërë e zakonshme të dëgjosh refrenin "Ku është Boris?" ashtu siç dëgjon pyetjen tjetër të zakonshme: “Si është parashikimi i motit?”

Për disa komentatorë, mungesa e Kryeministrit është edhe më e pashpjegueshme duke patur parasysh se kjo nuk është hera e parë që z. Johnson tregohet i ngadaltë kur bëhet fjalë për katastrofa natyrore, duke përfshirë edhe përmbytjet.

Në dhjetor, atë e fishkëllyen gjatë fushatës zgjedhore kur shkoi të vizitonte me vonesë disa komunitete të shkatërruara nga stuhia në veri të Anglisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG