Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, dha dorëheqjen të martën pas disa muajsh paqëndrueshmërie të koalicionit të tij qeverisës, duke u larguar kështu nga drejtimi i Italisë që po përballet me pandeminë vdekjeprurëse të koronavirusit.
Ai ia paraqiti dorëheqjen kreut të shtetit italian, Presidentit Sergio Mattarella. Nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të presidencës, e cila bëri njoftimin zyrtar, Presidenti Mattarella e ftoi zotin Conte të vazhdonte përkohësisht në detyrë ndërsa zhvillohen bisedime për hapat e mëtejshëm.
Zyra e Presidentit Matterella njoftoi se ai do të fillojë konsultimet me udhëheqësit e partive të mërkurën për të përcaktuar hapat në vazhdim.
Zoti Conte humbi shumicën absolute në Senatin e Italisë, megjithëse fitoi dy votëbesime në parlament javën e kaluar.
Largimi i një prej aleatëve kryesorë, Matteo Renzi, dëmtoi ndjeshëm aftësinë e vendit për të menaxhuar me efikasitet pandeminë dhe ndikimin e saj në ekonominë tashmë të dobësuar.
Për 15 muaj, zoti Conte udhëhoqi Italinë në bashkëpunim me partinë më të madhe në parlament, Lëvizjen 5-Yjet, dhe partinë Lega Nord të zotit Salvini. Por, rivaliteti çoi në dorëheqjen e zotit Salvini pasi nuk arriti dot të bëhej kryeministër, dhe rrjedhimisht në rënien e qeverisë fillestare.
Presidenti Mattarella ka përmendur vazhdimisht nevojën për një udhëheqje të fortë ndërsa vendi ndeshet me pandeminë COVID-19 dhe një ekonomi të dobët.
Italia ka numrin e katërt më të lartë të infeksioneve në Evropë, me më shumë se 2.4 milionë dhe numrin e dytë më të lartë të vdekjeve, pas Britanisë së Madhe, me më shumë se 85'000 sipas të dhënave të Qendrës për Koronavirusin në Universitetin Johns Hopkins.
Presidenti Mattarella mund të vendosë të gjejë dikë tjetër për të formuar koalicionin që i nevojitet në parlament. Ai ka gjithashtu mundësinë për ta shpërndarë parlamentin duke hapur rrugën për zgjedhje të reja dy vjet përpara periudhës së rregullt zgjedhore, sipas agjensisë së lajmeve Associated Press.
Një tjetër ish-kryeministër, Silvio Berlusconi, i cili kryeson një parti opozitare të qendrës, mund të ofrojë mbështetje thelbësore për qeverinë e ardhshme.
Në një deklaratë, zoti Berlusconi bëri thirrje për një "qeveri të re që do të përfaqësonte unitet të konsiderueshëm për vendin në një moment emergjence". Deklarata sugjeroi gjithashtu zgjedhje të parakohshme.
Por zoti Conte ende gëzon mbështetje nga Partia Demokratike, e cila po lobon për një riemërim pavarësisht nga pamundësia për të bashkëpunuar me Lëvizjen 5-Yje.
Facebook Forum