Lidhje

Kryeministri i Shqipërisë kundërshton idenë e ndryshimeve kushtetuese


Kryeministri i Shqipërisë kundërshton idenë e ndryshimeve kushtetuese
Kryeministri i Shqipërisë kundërshton idenë e ndryshimeve kushtetuese

Në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha hodhi sot poshtë mundësinë e rishikimit të kushtetutës për të cilën ishte shprehur pak ditë më parë kryetari socialist Edi Rama. Ndërkohë partia demokratike njoftoi sot se tre ditë më parë kyetari i grupit të saj parlamentar Astrit Patozi i kishte dërguar një ftesë homologut të tij socialist Gramoz Ruci për të nisur menjëherë së bashku punën për reformën zgjedhore.

Letra e zotit Patozi perkon me ditën kur kyetari socialist Rama kushtëzoi dialogun me kryeministrin Berisha me garanci nga komuniteti ndërkombëtar.

“Një paketë të plotë reformash e garancish kushtetuese, ligjore e institucionale, të cilat adresojnë thelbësisht, jo për sy e faqe, aspiratën europiane të qytetarëve shqiptarë dhe prioritetet e përcaktuara nga Bashkimi Europian për Shqipërinë. Këtë paketë s’mund ta garantojë Saliu, po vetëm komuniteti ndërkombëtar”

Një ditë pas kësaj deklarate të së mërkurës, kryetari socialist Edi Rama pranoi gjatë një interviste në emisionin Top Story se në ndryshimet kushtetutese të realizuara me konsensus në 2008 jo gjithshka ishte bërë si duhej.

Sot kryeministri Sali Berisha gjatë një ceremonie për përurimin e një rruge në zonat rurale të Tiranës duket se nuk la asnjë shteg për idenë e hedhur nga kryetari socialist: “Atyre që bërtasin të ndryshojmë kushtetutën, sa herë ju lëviz karrigia, atyre do tu them këtu sot, se ky vend ka nevojë të zbatojë kushtetutën, të zbatojë ligjet”, tha kryeministri Berisha

Po sot, nga selia e partisë demokratike u njoftua se tre ditë më parë, kryetari i grupit të saj parlamentar Astrit Patozi i ishte drejtuar me një letër kryetarit të grupit socialist Gramoz Ruci duke e ftuar atë që të nisnin menjëherë nga puna për reformën zgjedhore për të zbatuar rekomandimet e Osbe-Odihr-it. Zoti Patozi propozon që brenda këtij sesioni parlamentar të nisë edhe puna e komisionit të Reformës zgjedhore si dhe fton socialistët që së bashku t’i drejtohen Komisionit të Venecias dhe Osbe/Odihr-it që të ofrojnë ekspertizën e tyre.

Demokratët kanë përsëritur në këtë letër qëndrimin e tyre të njohur se janë të gatshëm të pranojnë të gjitha ndryshimet që ofron opozita me kushtin që ato të kenë marrë më parë edhe vlerësimin pozitiv të institucioneve ndërkombëtare.

Letra e zotit Patozi është e datës 13 korrik dhe përkon me daljen publike të zotit Rama dhe deklarimin e tij se në kushtet aktuale nuk mund të ketë dialog me shumicën e kryeministrit Berisha. Duket se për socialistët ky qëndrim ka qenë njëherazi edhe përgjigje ndaj ftesës së demokratëve të cilët propozonin që takimi i parë mes kryetarëve të grupeve të mund të realizohej dy ditë më pas, pra gjatë ditës së djeshme.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG