Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi sot se tubimi i të shtunës është anuluar, për të shmangur çdo keqkuptim se ai mund të ishte një provë force me opozitën.
Kryeministri Berisha tha se tubimi qytetar i të shtunës kishte vetëm qëllime paqësore e kundër dhunës, por anulimi i tij ishte një këshillë e diplomatëve amerikanë dhe e shumë shqiptarëve nga diaspora, që kërkonin me mesazhe më mirë të mos bëhet tubimi, që të shmangen befasirat.
Zoti Berisha u bëri thirrje drejtuesve të opozitës që të mos manipulojnë pjesëmarrësit e tubimit të tyre të ditës së premte, sepse përgjegjësia do të mbetet tek kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Kryeministri Berisha falenderoi SHBA që pranuan të bashkëpunojnë për një hetim të besueshëm dhe paanshëm në shkallë ndërkombëtare të kësaj ngjarjeje, duke shprehur përsëri rezerva për punën e deritanishme të Prokurores së Përgjithshme.
Ai njoftoi se, për të ndihmuar hetimin e saktë e të shpejtë, qeveria do të ndajë menjëherë një fond të posaçëm shpërblimesh për dëshmitarët që do t’i japin organeve të drejtësisë fakte e prova të vlefshme për të ndriçuar ngjarjen e 21 janarit.