Lidhje

Kritiku i burgosur i Kremlinit, në grevë urie, kërkon mjek


Russian opposition leader Navalny
Russian opposition leader Navalny

Kritiku i burgosur i Kremlinit Aleksei Navalni hyri në grevë urie të mërkurën në përpjekje për të detyruar burgun jashtë Moskës ku ai mbahet, t'i sigurojë kujdesin e duhur mjekësor për një dhimbje akute në shpinë dhe këmbë, siç u shpreh ai.

Fati i Navalnit, një nga kritikët më të njohur të Presidentit Vladimir Putin, është në qendër të vëmendjes pas deklaratave të tij javën e kaluar se zgjimi nga një roje çdo orë gjatë natës përbënte torturë dhe se thirrjet e tij për trajtim mjekësor nuk ishin përfillur.

Kolonia e burgjeve ku mbahet Navalni
Kolonia e burgjeve ku mbahet Navalni

Në një letër drejtuar guvernatorit të burgut, që u postua në mediat sociale nga ekipi i tij të mërkurën, zoti Navalni tha se kërkesat e përditshme për një mjek të zgjedhur prej tij për ta ekzaminuar dhe për t’i dhënë mjekimin e duhur, nuk ishin përfillur.

"Vërtet kam nevojë për një mjek. Çdo i dënuar ka të drejtë (me ligj) të ftojë një specialist për ta ekzaminuar. Edhe unë kam një të drejtë të tillë dhe jam i pafajshëm," shkruante ai.

"Kërkoj që të lejohet të më vizitojë një mjek, dhe derisa të ndodhë kjo, po shpall grevë urie," shkruante Navalni në deklaratë.

Autoritetet e burgut, pasi e kontrolluan Navalnin javën e kaluar, deklaruan se gjendja e tij ishte e qëndrueshme dhe e kënaqshme. Kremlini nuk ka pranuar të komentojë mbi shëndetin e tij, duke thënë se kjo është çështje e shërbimit federal të burgjeve. Të mërkurën, shërbimi i burgjeve tha se Navalny po merrte të gjithë trajtimin e nevojshëm.

"Të dënuarit A. Navalni i është siguruar e gjithë ndihma e nevojshme mjekësore në përputhje me gjendjen e tij aktuale mjekësore", citoi agjencia e lajmeve Interfax shërbimin federal të burgjeve të rajonit Vladimir.

Zyrtarët thanë gjithashtu se kontrollet e rregullta të të burgosurve gjatë natës kryheshin në përputhje me ligjin dhe "nuk pengojnë pjesën tjetër të të dënuarve".

Profesionistët mjekësorë botuan një letër të hapur të dielën duke kërkuar që politikani 44-vjeçar të marrë kujdesin e duhur.

"Kemi frikë për më të keqen. Lënia e një pacienti në këtë gjendje ... mund të çojë në pasoja të rënda, duke përfshirë një humbje të pakthyeshme, të plotë ose të pjesshme të funksioneve të gjymtyrëve të poshtme", thuhej në letër.

Navalny ka thënë se ajo që filloi si dhimbje akute e shpinës u përhap në këmbën e tij të djathtë dhe më pas në të majtën. Sipas tij, i vetmi ilaç që ka marrë kanë qenë tabletat dhe kremi Ibuprofen. Disa anëtarë të një grupi për monitorimin e të burgosurve e kanë akuzuar atë se mashtron për gjendjen e tij shëndetësore.

"Nuk dua t'i humbas të dyja këmbët", shkruante Navalny në letrën e së mërkurës. "Nuk do të ishte e drejtë. Të gjithë kanë dy këmbë ndërsa unë nuk do të kisha asnjë."

Navalny u burgos muajin e kaluar për dy vjet e gjysmë për shkelje që ai e quajti të motivuar politikisht. Ai u arrestua në janar kur u kthye në Rusi nga Gjermania, ku po shërohej nga ajo që mjekët perëndimorë thanë se ishte helmim me agjentë nervorë.

Perëndimi, përfshirë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ka kërkuar që Rusia ta lirojë Navalnin. Moska, e cila ka hedhur dyshime mbi helmimin e tij, i ka quajtur thirrje të tilla ndërhyrje të papranueshme në punët e saj të brendshme.

Kremlini e ka quajtur Navalnin një ngatërrestar të mbështetur nga Perëndimi në një mision për të destabilizuar Rusinë. Zëdhënësi i Presidentit Putin ka thënë se ai është i lidhur me CIA-n, diçka që Navalni e ka mohuar.

Aleatët e Navalnit kanë njoftuar plane për të organizuar këtë pranverë atë që ata shpresojnë të jetë protesta më e madhe anti-Kremlinit në historinë moderne ruse. Autoritetet kanë thënë që protesta të tilla janë të paligjshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG