Lidhje

Tiranë: Përfundon numërimi i votave; Rama deklaron fitore


Tiranë: Përfundon numërimi i votave; Rama deklaron fitore
Tiranë: Përfundon numërimi i votave; Rama deklaron fitore

Në Shqipëri dje u mbyll numërmi i votave për kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Tiranës. Kryetari aktual Edi Rama shpalli fitoren. Rivali i tij Lulzim Basha deklaroi megjithatë se do të mbetet në pritje të shpalljes së rezultatit zyrtar nga komisioni qendror i Zgjedhjeve. Në mbrëmje ky komision njoftoi se do të verifikonte tabelat e rezultateve të të gjithë qëndrave të votimit në Tiranë, për shkak të distancës së ngushtë duke deklaruar se rezultati paraprak është i pakuptimtë e se mund të ketë patur edhe gabime njerëzore në pasqyrimin e të dhënave në tabelat përmbledhëse:

Ditët dhe netët cfilitëse dhe me ankth që shoqëruan procesin e numërimit të votave për kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Tiranës, u mbyllën dje me një finale gati dramatike. Për përcaktimin e fituesit u desh të pritej kutia e fundit nga 485 të tilla për kryeqytetin. Kryetari actual I bashkisë Edi Rama prej tre ditësh në disavantazh kish mundur të reduktonte ndjeshëm distancën e cila n fillim të ditës kur kishin mbetur 8 kuti ishte 600 vota në favor të kandidatit democrat Lulëzim Basha.Përpara hapjes së kutisë së fundit diferenca mes te dyve ishte 56 vota plus për zotin Basha.

Procesi i numërimit u transmetua direkt nga thuajse të gjitha televizionet. Në momentin e përfundimit të dyja palët brohoritën fitore, Për afër 40 minuta deri kur komisioni shpalli zyrtarisht rezultatin e kutisë, euforia kish mbërthyer të dyja kampet ndërsa jashtë qendrës ku bëhej numërimi mbështetësit e të dy palëve ishin vënë në garë përballë njëra tjetrës në të dy anët e rrugës. Rezultati i kutisë së 485 i dha buzëqeshjen kryetarit aktual Rama i cili kishte arritur një avantazh prej 66 votash, duke e kapërcyer kështu në momentin e fundit rivalin e tij.

Festa megjithatë vazhdoi në të dy kampet. NUk vonoi shumë dhe nga selia e partisë së tij kryeministri Sali Berisha u shpreh se duhej pritur rezultati zyrtar, ndërsa paralajmëroi edhe ankimim të mundshëm për procesin: "Në çdo vend të botës, një proces i ndarë me vota që shkojnë jo tamam sa gishtërinjtë e njërës dorë apo të dyja së bashku, dorës ka një legjitimitet për t'u rishqyrtuar nga qeliza në qelizë. Në përputhje me ligjin kQZ është i detyruar të përllogarisë dhe të shpallë vetëm atë rezultat që konfronton një për një të dhënat në proces verbalet e qendrave të votimit me të dhënat në tabelat e komisioneve të zonave".

Edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i mbështetur dhe nga ai i delegacionit europian Ettore Sequi dhe i OSBE-së Eugen Ëollfarth, kërkoi që “teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor”.

Edhe në mbrëmje ndërsa u prit me brohorima dhe duartrokitje ne selinë e partisë së tij kandidati democrat Lulzim Basha ju përmbajt së njejtës linjë të parashtruar nga kryeministri Sali Berisha."Këto zgjedhje kanë qenë të lira dhe të ndershme. Dhe kjo ka qënë po kështu nje garë shumë e ngushtë. Cilido të jetë verdikti final i votuesve unë do ta pranoj atë. Shpresoj që edhe zoti Rama të bëjë të njëjtën gjë. Pavarësisht nëse marrim për bazë burimet tona apo të palës tjetër, të dy kandidatët ndahen nga fare pak vota. Asnjë nga kandidatët nuk mori më shumë se 50 përqind të votave. Unë e kam thënë që në fillim të procesit të numërimit se çdo votë duhet të numërohet në mënyrë të ndershme, të saktë dhe transparente. KQZ po përllogarit rezultatin final dhe ne akoma nuk e dimë se kush është fituesi".

Por ndërkohë më parë, nga selia e partisë së tij në oborrrin e së cilës një turmë simpatizantës socialist ishin thuajse në delir, kryetari aktual i bashkisë dhe udhëheqësi i opozitës shqiptare Edi Rama shpalli fitoren: "Kjo nuk është fitorja ime e parë, por më shumë se asnjëherë më parë fitorja është një burim reflektimi për mua, që sot si asnjëherë ndjej peshën e borxhit ndaj çdo shqiptari. Që besoi tek kandidatët tanë duke i votuar dhe po njësoj edhe ndaj çdo qytetari këtu në Tiranë që nuk më votoj duke më sprovuar".

Por shpallja e fitores së tij të ngushtë do të vazhdojë të mbetet pezull deri në zyrtarizimin e saj nga komisioni qëndror i zgjedhjeve, i cili në mbrëmje përmes zëdhënësit Arti Lushi shpjegoi se do të bëjë verfikimin e cdo rezultati të cdo qendre votimi: "Rezultati paraprak konsiderohet i pakuptimtë, sepse kandidatët garues u ndanë me një diferencë shumë të vogël mes tyre. Është e kuptueshme që mund të ketë edhe gabime njerëzore sepse edhe praktika e tregoi këtë

KQZ e shpall rezultatin vetem pasi të ketë verifikuar tabelën e cdo komisioni zonal me tabelën e rezultatit të cdo qendre votimit dhe në rast të mos përputhjeve KQZ shpall rezultatin bazuar vetëm në rezultatin e tabelave të qendrave të votimit".

Sipas kodit zgjedhor Komisioni qëndror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatin brenda 48 orëve nga marirja në dorëzim të materialeve të votimit dhe tabelave të rezultateve.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG