Lidhje

Ballkani, pikë takimi e rrezikut të radikalizmit islamik dhe ndikimit rus


Nën trysninë e dy forcave

Shtëpia e Bardhë i konsideron ekstremizmin e dhunshëm dhe agresionin rus, si dy nga sfidat kryesore ndaj sigurisë kombëtare amerikane. Përballja me këto kërcënime është një përparësi për Shtetet e Bashkuara dhe në rajonin e Ballkanit, përpjekjet për të ushtruar ndikim si nga Rusia, ashtu edhe nga islamistët radikalë është pika ku ato takohen. Paqendrueshmëria politike, tensionet e mbetura etnike dhe dobësia eknomike i bëjnë vendet e rajonit veçanërisht të ekspozuara.

Ballkani, pikë takimi e rrezikut të radikalizmit islamik dhe ndikimit rus
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:51 0:00

Popullsitë me numër të madh myslimanësh nga njëra anë dhe lidhjet historike dhe fetare me Rusinë nga ana tjetër, i bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor më të prekshme nga këto ndikime. Frank Wisner, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara dhe ish-i dërguar i posaçëm për bisedimet e statusit mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se megjithëse Ballkani nuk është sferë përparësore rivaliteti, ai nuk është i parrezikuar.

“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Ballkani të mos lejohet të preket nga rivalitetet e fuqive të mëdha dhe së dyti që çështjet e Lindjes së Mesme të mos ta infektojnë këtë rajon. Përsa i takon kësaj të fundit, kjo është detyrë e shërbimeve të zbulimit të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara, si edhe atyre të Ballkanit, që të identifikojnë dhe gjejnë elementët shkatërrimtarë që shkojnë dhe kthehen nga zonat e udhëtimit të Levantit dhe Lindjes së Mesme”, thotë ai.

Rreziku i ndikimit të radikalizmit islamik

Vende si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova kanë miratuar ligje për të ndaluar qytetarëve të tyre të marrin pjesë në luftëtra të huaja dhe kanë arrestuar një numër elementësh radikalë. Kjo do të jetë një përpjekje afat-gjatë, thotë ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Ian Brzezinski, që tani është studiues në Këshillin e Atlantikut:

“Do të jetë një ndërmarrje e vazhdueshme, afatgjatë, ku intensifikimi i këtij bashkëpunimi mes policive, shërbimeve të zbulimit, do të bëhet gjithnjë e më urgjente, gjithnjë e më e domosdoshme, me kalimin e kohës”.

Që kur filloi konflikti në Siri në vitin 2011, në këtë vend kanë shkuar mbi 20 mijë luftëtarë të huaj, nga mbi 90 vende, të paktën 3,400 prej tyre nga Perëndimi, sipas Raportit për Kërcënimet Globale të komunitetit amerikan të zbulimit. Numri i luftëtarëve nga Ballkani është të paktën një mijë, nga të cilët 500 nga Bosnja, 300 nga Kosova, 90-100 nga Shqipëria dhe rreth 100 nga Maqedonia, sipas të dhënave zyrtare nga Ballkani dhe burime të tjera.

Ballkani dallon nga vendet e Evropës Perëndimore pasi sundimi i ligjit është më i dobët dhe varfëria më e madhe, thotë zoti Brzezinski.

“Strukturat e qeverisjes dhe rendit janë disi më të dobëta në vendet e Ballkanit krahasuar me homologët e tyre në veri të Evropës. Disa prej këtyre vendeve kanë popullata të konsiderueshme myslimane. Kjo nuk do të thotë se është gjë e keqe të kesh popullsi myslimane, por është një realitet që po shfrytëzohet nga organizata si ISIS. Këto vende janë në spektrin e një varfërie më të madhe në relievin ekonomik të Evropës dhe kurdo që ke një situatë pabarazie ekonomike, ke shoqëri që janë më të ekzpozuara ndaj ekstremizmit”.

Ish-ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara kanë synuar të veprojnë si një forcë stabilizuese.

“Por vazhdon të ketë një program politik që ende nuk ka marrë rrugë, në Bosnje, Maqedoni dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë”.

Rreziku i ndikimit të Rusisë

Një sfidë tjetër me të cilën ndeshet Ballkani sot është rritja e ndikimit rus. Moska synon të shfrytëzojë lidhjet e saj historike me rajonin.

“Si Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe vende të tjera, janë të gjitha në linjën e zjarrit”.

Kështu u shpreh sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë një dëshmie të kohëve të fundit në Kongres.

Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të zgjerojnë praninë në Ballkan.

“Mendoj se është e rëndësishme që të mos ketë kriza, që Rusia të mund t’i shfrytëzojë, gjë që do të rriste tensionet mes Rusisë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë ish-ambasadori Wisner.

Serbia për shembull, importon 82 për qind të gazit nga Rusia. Pasi Bashkimi Evropian mori masa që çuan në anulimin e planit për gazsjellësin South Stream përmes Evropës Juglindore. Kremlini po përpiqet për një rrugë alternative që do të kalonte përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë dhe pastaj përmes Hungarisë dhe ndoshta deri në Austri. Mediat ruse, Russia Today edhe Sputnik janë të pranishme në Serbi.

“Rusia përfiton nga koha kur ekzistonte Bashkimi Sovjetik që krijoi varësi infrastrukturore në rajon me ekonominë e sotme të Rusisë”, thotë zoti Brzezinski.

Por ai shton se ndërsa ekonomitë e Ballkanit modernizohen dhe pështaten me standardet evropiane të ligjeve dhe infrastrukturës, kjo varësi dobësohet.

Megjithatë Serbia për shembull nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Dhe kur Presidenti rus Vladimir Putin shkoi në Beograd tetorin e kaluar, ishte një kujtesë se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, është e vështirë të bashkëjetojnë me aspiratat e Beogradit për të hyrë në BE.

Nevoja dhe sfidat e integrimit Euro-Atlantik

Ish-ambasdori Wisner thotë se është e rëndësishme që Greqia dhe Maqedonia të zgjidhin problemet mes tyre dhe se Evropa duhet të vazhdojë me përpjekjet për integrimin e Serbisë dhe Kosovës.

“Është veçanërisht e rëndësishme që të fillojnë negociatat që Kosova të hyjnë në rrugën e vet për një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe që Serbia të mos hyjë në BE, nëse Kosova nuk pason në po të njëjtën rrugë, sigurisht duke plotësuar kushtet”.

Zoti Wisner shton se duke zgjidhur këto probleme, nuk mbetet një terren negativ që Rusia mund ta shfrytëzojë dhe është më e lehtë që të ruhet harmonia e nevojshme për Ballkanin.

Ai i referohet shqetësimeve të shprehura veçanërisht në Evropë, por edhe në Uashington se Presidenti Putin po përpiqet të krijojë çarje mes Ballkanit dhe Perëndimit.

Sekretari Kerry tha para nënkomisionit të Senatit se Rusia është e angazhuar në një “përpjekje masive për të lëkundur, për të tërhequr vendet, për të krijuar lidhje me to”, duke rindezur në mënyrë tragjike një lojë të re mes Lindjes dhe Perëndimit.

Uashingtoni, thotë zoti Brzezinski mund të luajë rol më të madh.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të inkurajojnë më shumë duke rizgjuar vizionin e një Evrope të bashkuar dhe të lirë, duke këmbëngulur më shumë për zgjerimin e NATO-s, veçanërisht për Maqedoninë dhe Malin e Zi. Mendoj se duhet të përpiqemi më shumë që të rrisim besimin e Serbisë tek potenciali i bashkëpunimit të sigurisë me Perëndimin, për ta shkëputur nga një lloj botëkuptimi pro-rus. Mendoj se është gjithashtu e nevojshme rritja dhe forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe Evropës Perëndimore”.

Por si ish-ambasadori Wisner, ashtu dhe ish-zyrtari i lartë i Pentagonit, Brzezinski bien dakord se integrimi është një rrugë me dy drejtime dhe se procesin do të duhet ta udhëheqin vetë vendet përmes reformave agresive dhe arritjes së standardeve të nevojshme për anëtarësim të plotë në komunitetin Euro-Atlantik.

XS
SM
MD
LG