Lidhje

Kryeministri Hoti shkarkoi drejtorin e policisë, doganave dhe administratës tatimore të Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, shkarkoi nga detyra të premten drejtorin e policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, siç thuhet “bazuar në raportin e performancës”.

“Në përputhje me Ligjin për Policinë, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Samedin Mehmeti, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në orët e mbrëmjes, ai shkarkoi nga detyra edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Doganave të Kosovës si dhe drejtorin e përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, “në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në rekomandimet e ministres së Financave”.

“Kryeministri Hoti emëroi Bajram Rexhën si ushtrues detyre i drejtorit të Doganës dhe Ekrem Hysenajn si ushtrues detyre i drejtorit të Administratës Tatimore”, thuhet në njoftim.

Nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth shkarkimeve, por Partia Demokratike e Kosovës, e cilësoi shkarkimin e drejtorit të policisë si një vendim që cënon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishme të pavarura të shtetit.

“Fakti që ky shkarkim po bëhet kur ende nuk është mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit. Momenti dhe metoda e shkarkimit dëshmon se ky veprim është mesazh i qartë kërcënues për policët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit – të cilët guxojnë̈ të merren me veprat penale të LDK-së”, thuhet në njoftim.

Kjo parti i bën thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia e kryeministrit Hoti që të distancohet nga, siç thuhet, “kësilloj veprimesh abuzive që duket se janë spastrime politike dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për mirëfunksionimin e institucioneve të rëndësisë së veçantë sikurse është policia”.

Policia e Kosovës para disa ditësh arrestoi kryetarin e komunës së Istogut, njëherësh nënkryetar i Lidhjes Demokratike, Haki Rugova dhe dy zyrtarë të tjerë nën dyshimet për përfshirje në korrupsion.

Zoti Qalaj ishte emëruar drejtor i policisë në gusht të vitit 2018 nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj. Paraprakisht ai kishte punuar si drejtor i departamentit të operacioneve në policinë e Kosovës.

Derisa drejtori i ri i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, para se të emërohej në këtë pozitë shërbente si drejtor i divizionit të komunikacionit rrugor në drejtorinë e përgjithshme të policisë së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG