Kosova është përfshirë në debate politike pas paralajmërimeve amerikane për sanksione e tërheqje trupash, në rast se nuk hiqen tarifat ndaj mallrave serbe.
Ndonëse përfaqësuesit politik po bëjnë thirrje për një qëndrim të përbashkët rreth situatës se re, ata mbeten të ndarë rreth hapave që duhet të merren për të tejkaluar gjendjen.
Kryeministri i Kosoëvs, Albin Kurti u gjet nën trysni të partive politike në parlament por edhe presidentit Hashim Thaçi, për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, që nuk janë pajtuar me qëndrimin e zotit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tyre.
Kryeministri Kurti tha në parlament në një seancë të jashtëzakonshme se "nuk bëhet fjalë për heqjen e tarifës e për fillim të dialogut. Kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme. Midis dy presidentëve, (Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç) unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si kryeministër në mënyrë që të marr fuqi ai që në emër të Kosovës në negociata sekrete ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servoj, jo për të filluar dialog por për të mbyllur çfarëdo ideje për dialog", tha ai.
Kryeministri Kurti nguli këmbë në qëndrimin e tij se heqja e tarifave do të ndodhë por duke u zëvendësuar me masa reciproke ndaj Serbisë.
"Kur është vënë tarifa njëherë 10 për qind e pastaj 100 për qind, dy javë më vonë, në nëntorin e vitit 2018 nuk është vënë për pengesë për dialogun për shkëmbim territorial, mirëpo është presidenti i Serbisë ai që tha se pa u hequr kjo tarifë unë nuk filloj dialogun, ama në ndërkohë vazhduan negociatat sekrete. Pra është vet presidenti i Serbisë që e futi veten në këtë kurth, e mbështeti vetën në kënd në mënyrë që të mos mundet të dialogojë, mirëpo në atë kënd kishte një rrugë alternative megjithatë, e kjo ishte negociatat sekrete , moti nuk ka dialog, kurrë nuk janë ndalur negociatat sekrete", tha ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi postë ndërkaq në jë postim ne facebook pohimet e kryeministrit për një marrëveshje sekrete, ndërsa e akuzoi atë se po përçan politikën e institucionet e Kosovës dhe po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike.
"Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi. Qesharake për Kosovën. Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në", shkroi mes tjerash ai.
Qëndrimet rreth tarifave kanë krijuar përçarje edhe brenda koalicionit qeverisës. Deputeti i Lidhjes Demokratike Arben Gashi, tha në mbledhjen e parlamentit se "tarifa duhet të hiqet dhe për këtë dakordohemi të gjithë ose një shumicë dërmuese e deputetëve, pra përfaqësues të popullit. Tarifa ishte një mjet keq i përdorur dhe që na dëmtoi. Mbajtja dhe vonesat në heqjen e saj vazhdojnë të na dëmtojnë”, tha ai.
"Ne në fushatë kemi garuar me reciprocitetin. Të gjithë ne që në fushatë kemi garuar me reciprocitetin dhe kemi marrë votat e qytetarëve është e domosdoshme që për ndryshim të qëndrimit të kthehemi të qytetarët dhe minimumi i korrektësisë demokratike e thotë që ata që kanë ndryshuar qëndrim duhet të kërkojnë referendum", tha ndërkaq kryeministri Kurti. .
Facebook Forum