Banka Botërore tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2017 u rrit me 4.4 për qind, e nxitur kryesisht nga investimet publike dhe private dhe nga shtimi i eksporteve.
Ky përfundim është pjesë e një raporti Ekonomik mbi Evropën Juglindore, në të cilin thuhet se rritja ekonomike e Kosovës parashikohet të mbërrijë në 4.8 për qind gjatë viteve 2018 - 2020. Por, kjo rritje sipas raportit, varet nga qëndrueshmëria politike dhe zbatimi i programit të investimeve.
Marko Hernandes nga Banka Botërore tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrisin prodhimin, që sipas tij, është faktor thelbësor për zhvillim më të shpejtë ekonomik.
“Ekonomia në Ballkanin Perëndimor vazhdon të rritet. Viti 2017 ka qenë më i ngadaltë sesa vitet e kaluara, por vendet e punës po vazhdojnë të krijohen”, tha zoti Hernandes.
Në raport thuhet se rritja ekonomike e Kosovës ka nxitur edhe krijimin e vendeve të punës posaçërisht në informacion, prodhim, tregti me shumicë dhe pakicë, komunikime dhe veprimtaritë administrative si dhe shërbimet mbështetëse. Me gjithë shtimin e vendeve të reja të punës, sipas raportit, shkalla e papunësisë është rritur në 30.4 për qind të popullsisë së regjistruar si të papunë.
Eksportet e mallrave u rritën me 23.1 për qind për shkak të rritjes së shkëmbimeve me partnerët tregtarë, rritjes së çmimeve të metaleve bazë dhe rritjes së prodhimit. Eksportet e shërbimeve u rritën me 17.7 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së turizmit nga diaspora.
Po ashtu në raport thuhet se, çdo vonesë në reforma, për të mbuluar përfitimet e veteranëve të luftës dhe për të parandaluar ngritjet e përfitimeve sociale të pakontrolluara, mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.
Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërore, thotë se Kosova duhet të gjejë një zgjidhje për çështjen e pagesave për veteranët e luftës.
“Ne ndajmë të njëjtin mendim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtarë, që qeveria duhet të marr masa të korrigjojë çfarë ka ndodhur aty dhe thjeshtë të zbatojë ligjin e ri i cili parasheh që në tërësi kjo skemë të mos kalojë 0.7 të Bruto Prodhimit Vendor si kosto fiskale”, tha ai.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet së në mënyrë që të drejtpeshohen rreziqet, Kosova duhet të zbatojë reformat me përparësi, të rrisë prodhimin, të angazhojë dhe punësojë të rinjtë dhe gratë dhe të trajtojë korrupsionin.
Sipas Bankës Botërore, me gjithë parashikimet pozitive për ekonominë e Kosovës, perspektiva e saj është e ndjeshme ndaj rreziqeve që lidhen me politikën për shkak se qeveria aktuale ka shumicën e thjeshtë në parlament.
Rreziqet politike, thuhet në raport, mund të rriten me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngritjen e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Facebook Forum