Lidhje

I konfirmohet akuza, dorëhiqet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dha dorëheqje të enjten dhe u nis për në Hagë për t'u përballur me drejtësinë pasi që është konfirmuar akuza kundër tij e ngritur nga Prokuroria e Posaçme e cila e ngarkon atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Duke publikuar njoftimin për konfirmimin e akuzës, ai tha se dorëheqja është veprim për të mbrojtur integritetin e presidencës.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Ai theksoi se do të bashkëpunojë ngushtë me drejtësinë dhe “nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë, duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë. Prandaj sot më shumë se kurrë ju bëj thirrje e ju lus që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin”.

Vjosa Osmani - ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, mori përsipër postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pak pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, në rast se "presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës".

Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, sipas kushtetutës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës, ajo bëri thirrje për bashkim përballë situatës së re politike në vend.


Zoti Thaçi tha se aktakuza ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tij “është çmim i vogël i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.

Asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo rishkruaj historinë, Kosova ka qenë viktima dhe Serbia ka qenë agresori. Prandaj kjo situatë e re është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Kjo mund të arrihet duke ruajtur unitetin politik dhe qytetar në vend si dhe duke ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Prokuroria ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim por, më 24 qershor ajo beri të ditur se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Njoftimi qe publikuar derisa presidenti Thaçi ishte ne rrugë për në Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.

Qeveria e Kosovës, udhëheqës institucionesh e partish politike reaguan pas konfirmimit të akuzave ndaj zotit Thaçi si dhe drejtuesve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare duke theksuar se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe se lufta e saj duke qenë e drejtë siguroi edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë tranzicion të qartë të ushtrimit të përgjegjësive pa krijuar hendek institucional, ndërsa bëri thirrje që të gjithë të demonstrojnë siç thuhet, kulturë të lartë politike.

Lidhja Demokratike bëri thirrje për bashkim dhe vendime të "përgjegjshme politike dhe institucionale".

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që vendi të mbajë zgjedhje të reja përballë situatës së re.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re, ndërsa kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë që të thonë nëse ngjarjet e fundit do ta kthejnë Kosovën prapa?

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG