Lidhje

Vetëvendosje propozon shtimin e numrit të ministrive


Lëvizja Vetëvendosje tha të martën se i ka propozuar Lidhjes Demokratike të Kosovës një ofertë për shtimin e ministrive në qeverinë e ardhshme për të siguruar një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Bisnik Bislimi, postoi ofertën që numri i ministrive të shtohet në 14 nga 12 sa ishin marr vesh me Lidhjen Demokratike në fillim të negociatave.

Sipas kësaj oferte Lidhja Demokratike do të kishte 6 ministri kundrejt Vetëvendosjes që do të mbetej me 5 syresh.

“Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. Tri ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së”.

Sipas lëvizjes Vetëvendosje, “ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete”.

Pika tretë e propozimit lidhet me çështjen e postit të presidentit të Kosovës. Sipas lëvizjes Vetëvendosje “do të bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për konsensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in”.

Në postimin e zotit Bislimi thuhet se me hartimin e këtij propozimi, “Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh)”.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha gjatë ditës se ka pranuar “një propozim shumë të ngjashëm me atë të paraqitur nga ta në takimin e fundit të javës së kaluar, me disa ndryshime të vogla, të cilat do të shqyrtohen në ditët në vijim”.

Në orët e mbrëmjes, nënkryetari i Lidhjes Demokratike Agim Veliu, shkroi në rrjetet sociale se “angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës. E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”, shkroi mes tjerash ai.

Propozimi i Vetëvendosjes pasoi negociatat e javës së kaluar që nuk siguruan një pajtim për formimin e qeverisë.

Bisedimet rifilluan pas një pushimi të gjatë, që pasoi mbledhjen e parë të parlamentit që u mbajt me 26 dhjetor. Në krye të parlamentit u zgjodh Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike. Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.

Të hënën kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i bëri thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos ushtrojë trysni ndaj partisë së tij, për formimin e koalicionit qeverisës.

Të premten e kaluar, presidenti Thaçi, i kishte bërë thirrje zotit Kurti përmes një letre të propozojë sa më shpejt kandidatin për postin e kryeministrit, tri ditë pasi që ai i dha një afat 48 orë zotit Kurti pas takimit këshillues për caktimin e këtij emri.

“Kushtetuta e Republikës sonë nuk i njeh presidentit një rol imponues në formimin e qeverisë. Ai duhet të jetë i durueshëm dhe të presë. Formimi i qeverisë nuk është i lidhur me afate, përjashtimisht pas mandatimit zyrtar të cilin e bën presidenti pasi t’i jetë ofruar zyrtarisht emri i kandidatit, për shkak se demokracia nuk është thjeshtë grumbullim numrash por përafrim qëndrimesh, harmonizim programesh e bartje përgjegjësish”, thuhej në letrën e zotit Kurti.

Aktualisht nuk dihet se kur mund të ndodhin takime të reja ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për vazhdimin e negociatave, ndërsa të dyja po përballën me trysninë publike për të përshpejtuar procesin e formimit të qeverisë së re.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG