Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje të premten që të hiqen tërësisht tarifat ndaj mallrave serbe, duke theksuar se Kosova duhet të marr vendim që i japin fund izolimit.
Në një shkrim në rrjetet sociale ai shkruan se “kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë”.
Ai tha se nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Kombëtare Robert O’Brien.
“Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në. Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”, shkroi presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se do të fillojë heqjen e kushtëzuar të tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit 2018 në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Ai tha se nga 15 marsi do të hiqen tarifat në lëndën e parë si shenjë e vullnetit të mirë dhe nëse Serbia i jep fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, më 1 prill do të hiqen tërësisht tarifat për një periudhë 90 ditëshe.
Lidhja Demokratike e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës, tha se qëndrimi i tillë nuk është bashkërenduar me të dhe se ajo nuk do ta votojë miratimin e tij.
Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten mbrëma se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin masat gjysmake të kryeministrit Albin Kurti dhe se qëndrimi është amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.
Bashkimi Evropian u shfaq me qëndrim më të butë duke mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se Brukseli po pret të mësojë më shumë hollësi, por e mirëpret vendimin si një hap të parë që mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një mundësi për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit.
Facebook Forum