Lidhje

UEFA shqyrton në mars të vitit të ardhshëm anëtarësimin e Kosovës


Nëse përmbushet ky synim i Kosovës, atëherë në maj të vitit që po vjen ajo mund të bëhet anëtare e plotë e e FIFA-s

Kosova do të mund të behet anëtarja e 55-të e UEFA-s, nëse kërkesa e saj pranohet në mbledhjen e radhës së udhëheqjes së futbollit evropian, që do të mbahet në Budapest, në mars të vitit 2016.

Synimi i Kosovës, për t’u bërë anëtare e plotë e UEFA-s, ka shënuar një hap përpara, pasi që Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s, është pajtuar që kërkesa zyrtare e Kosovës për anëtarësim, të vihet në rendin e ditës së kongresit të UEFA-s, vitin që po vjen.

Ky vendim u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino, pas takimit të komitetit ekzekutiv, që u mbajt të premten në Malta.

Nëse kërkesa miratohet, atëherë Kosovës do të mund t’i mundësohej anëtarësimi i plotë të Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, në takimin e radhës që do të mbahet në Mexico City, në muajin maj të vitit 2016.

Ekipet e Kosovës do jenë në gjendje të marrin pjesë në garat e UEFA-s, dhe ekipi i saj kombëtar mund edhe të pranohet në kualifikimet për Kupën e Botës në vitin 2018.

Shorti për këtë është hedhur në Rusi në muajin korrik, por Kosova potencialisht mund të shtohet në një nga grupet e Evropës.

FIFA vendosi në janar të vitit të kaluar që t’i lejojë Kosovës që të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Megjithatë ajo vendosi kufizime duke i ndaluar Kosovës që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave.

Po ashtu klubeve të Kosovës u është ndaluar të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve.

Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG