Lidhje

Hashim Thaçi, rizgjidhet kryetar i PDK-së


Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte kandidati i vetëm për postin e kryetarit të PDK-së në Kuvendin zgjedhor të saj.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u rizgjodh sot kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e drejton që nga themelimi i saj në fund të luftës së vitit 1999.

Nga 719 delegatë sa morën pjesë në votimet që u zhvilluan në Kuvendin zgjedhor të kësaj partie, vetëm një ishte kundër zgjedhjes së zotit Thaçi, që ishte edhe kandidati i vetëm për këtë post.

Duke falënderuar delegatët, zoti Thaçi tha se Partia Demokratike ka kaluar nëpër sfida dhe ka qenë përballë vendimeve të rënda që nga themelimi i saj.

Kuvendi zgjedhor i kësaj partie është zhvilluar pa pjesëmarrjen e disa prej personaliteteve kryesore të saj. Nënkryetari i parë i kësaj partie Fatmir Limaj, aktualisht ndodhet në paraburgim në pritje të procesit gjyqësor nën akuzat për krime lufte, ndërkohë që ndaj tij është ngritur edhe akuza për përfshirje në korrupsion.

Në Kuvend nuk mori pjesë as kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, i cili është shprehur i pakënaqur me zhvillimet brenda partisë. Ai, nëpërmjet një letre, kritikoi ashpër kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi që njëherësh është kryetar i Partisë Demokratike për siç ka thënë ai, shndërrimin në sundimtar të partisë.

Përplasjet ndërmjet zotit Krasniqi dhe partisë së tij janë shfaqur herë pas here që nga zgjedhjet vitit 2010. Gjatë vjeshtës së vitit që lamë pas emri i tij ishte përmendur në disa telefonata të përgjuara të zyrtarëve të lartë të PDK-së ku ai kritikohej për “pengim procesesh”.

Letra e zotit Krasniqi nuk është komentuar nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ndërsa nga vëzhguesit vlerësohet si përfundim i pjesëmarrjes së tij në këtë parti, ku që nga themelimi ishte njëri nga personalitetet kryesore të saj.

Partia Demokratike e Kosovës aktualisht drejton qeverinë e vendit. Ajo erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2007, tetë vjet pas themelimit të saj.
XS
SM
MD
LG