Lidhje

Kosovë: Një muaj paraburgim për pesë të dyshuarit për terrorizëm


Në Prishtinë, Gjykata Themelore u caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh pesë personave të arrestuar dy ditë më parë nën dyshimet për vepra që lidhen me terrorizmin

Gjykata Themelore ne Prishtine, vendosi të hënën masën e sigurisë prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Besnik Latifi, Enis Latifi, Milazim Haxhiaj, Gazmend Haliti dhe Fehmi Musa.

Arrestohen 5 persona për lidhje me terrorizmin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Masa e paraburgimit thuhet në vendim të gjykatës, është caktuar për arsye se ekziston dyshimi i bazuar se te njëjtit kane kryer veprat penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Të pestët janë arrestuar të shtunën në dy operacione të policisë.

Tre prej tyre janë arrestuar në afërsi të liqenit të Badovcit rreth gjashtë kilometra në lindje të Prishtinës, që është një nga furnizuesit me ujë të kryeqytetit. Personat e dyshuar, sipas policisë po udhëtonin me dy makina të cilat janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.

Tek të dyshuarit me rastin e arrestimit ishin gjetur, maska, dorëza si dhe një flamur i grupit militant Shteti Islamik.

Pas hetimeve fillestare po të shtunën janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë të ndërlidhur me tre të parët.

Pas arrestimeve kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ndërpreu furnizimin me ujë gjatë ditës së shtunë për në disa lagje të kryeqytetit, që furnizohen nga liqeni i Badovcit. Zyrtarët thanë se kjo ishte bërë për shkaqe sigurie, ndërsa në mbrëmjen e së shtunës Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që kishte kryer analizat e ujit, tha se ai ishte i pastër.

Gjykata vendosi paraburgimin duke i pranuar siç tha, “si te bazuara pretendimet e prokurorisë se sikur tani te pandehurit te gjendeshin ne liri mund të ndikojnë në rrjedhat e procedurës penale duke asgjësuar, ndryshuar apo falsifikuar provat e veprës penale apo se mund te ndikojnë te dëshmitarët të cilët akoma nuk janë dëgjuar, dhe masat tjera te sigurisë nuk do te ishin të përshtatshme”.

Kosova është përballur me sfidën e pengimit të ekstremizmit te dhunshëm dhe përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Në fund të muajit qershor Departamenti amerikan i shtetit tha se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht në Kosovë, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme.

Rreth 150 – 200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 janë vrarë.

Grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. Në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste.

Në vitin 2014, autoritetet e Kosovës arrestuan rreth 70 individë nën dyshimet për terrorizëm, rreth 40 prej të cilëve ishin luftëtarë të huaj që ishin kthyer në Kosovë.

Në muajin mars, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG