Lidhje

Kosovë, grevë e përgjithshme në sistemin e arsimit


Punonjësit e shkollave fillore, ato të mesme dhe universitetet publike të Kosovës, janë hedhur në një grevë të përgjithshme, për t'i bërë trysni qeverisë që të ndryshojë ligjin për pagat, duke rritur normën e pagesës për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor publik. Udhëheqësit e sindikatave të arsimit thanë se greva do të vazhdojë deri sa të zbatohen kërkesat e paraqitura.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kërkon që normat e parapara në ligjin e pagave për punonjësit arsimorë të rriten për të paktën 30 për qind. Udhëheqësi i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj tha se “greva mund të zgjasë varësisht nga vullneti i institucioneve”.Ai thotë se “ligji aktual për nivelizimin e pagave po i shton dallimet edhe më shumë ndërmjet institucioneve të ndryshme publike”.

Zyrtarët e qeverisë kanë bërë thirrje që të ndalet greva dhe që zgjidhja të gjendet nëpërmjet bisedimeve. Ata thonë se kërkesat e sindikalistëve mund të shkaktojnë problem në buxhetin edhe ashtu të ngarkuar.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për pagat, me synimin që të përmirësojë dhe barazojë pagesat në sektorët e ndryshëm publik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG