Prokuroria e posaçme e Kosovës ngriti të mërkurën aktakuzë kundër një gruaje shqiptare, nën dyshimet për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “e pandehura D.D., më 29 tetor të vitit 2014, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” (Shteti Islamik i Irakit dhe Sirisë) në Siri, përmes vend kalimit kufitar Hani i Elezit, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, duke kaluar në Republikën e Maqedonisë dhe nga aeroporti i Shkupit, ka vazhduar rrugën në drejtim të Stambollit të Turqisë, më pastaj ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri, ku është pritur nga bashkëshorti i saj B.S., nga Shkupi, luftëtar i ISIS-it”.
Sipas akuzës ajo është stërvitur nga burri i saj “për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake. Po ashtu, e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100 -150 dollar në muaj, si dhe me pako ushqimore”.
Pas vdekjes së burrit ajo është rimartuar me një burrë tjetër “i quajtur D.S., pjesëtar i ISIS-it dhe ka qëndruar e vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, deri në muajin dhjetor të vitit 2018, kur përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane”.
A akuzuara është pjesë e grupit prej 110 personave që u kthyen në prill të vitit 2019 në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës deri tash ka ngritur aktakuza ndaj të paktën 22 prej grave të kthyera dhe të paktën ndaj tri prej tyre gjykatat kanë shqiptuar dënime me kusht.
Në vitin 2015 parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që ndalon bashkimin në luftëra të huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie.
Që nga viti 2012 afro 400 qytetarë të Kosovës ishin përfshirë në luftërat në Siri e Irak dhe një pjesë e tyre luftuan përkrah grupit militant Shteti Islamik.
Disa dhjetëra qytetarë të Kosovës përfshirë gra e fëmijë vazhdojnë të mbeten në zonat e konfliktit.
Facebook Forum