Lidhje

Kosova dhe Gjykata e Posaçme


Kryeministri Isa Mustafa, të premten do të paraqitet në interpelancë në parlament për përgjegjësinë kushtetuese të qeverisë lidhur me themelimin e Gjykatës së Posaçme

Kryesia e Parlamentit të Kosovës caktoi për ditën e premte, 27 mars seancën e radhës në të cilën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të paraqitet në interpelancë, “për përgjegjësinë kushtetuese të qeverisë lidhur me themelimin e Gjykatës së posaçme”, që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Kërkesa për interpelancë është shtruar nga Grupi Parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje, që është partia më e madhe opozitare në vend.

Tashmë kryesia e parlamentit ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese propozimet për amendamentet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, një përpjekje kjo e autoriteteve për t’u siguruar se ato janë në përputhje me frymën kushtetuese të vendit.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj.

Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se kësaj gjykate të cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por edhe sovranitetit të saj. Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Autoritetet qeveritare dhe diplomatët perëndimorë thonë se dështimi për ta ngritur gjykatën do të ishte i dëmshëm për Kosovën, sepse çështja do të shkonte në Kombet e Bashkuara.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Ish shefi i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për këtë çështje prokurori amerikan Clint Williamson, në fund të muajit korrik të vitit 2014, tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

XS
SM
MD
LG