Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, takuan të shtunën kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për të diskutuar situatën e krijuar pas nismës së 43 deputetëve të parlamentit të Kosovës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme.
Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura e larg syve të medies dhe nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera, por ai pasoi reagimet e ashpra të diplomatëve perëndimorë ndaj nismës për të diskutuar në parlament shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme.
Kryesia e parlamentit u mblodh dy herë të premten për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të kuorumit ajo në të dyja rastet, vendosi që të mos provojë mbajtjen e seancës. Në takimin e kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Listës serbe.
Ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili qëndroi te premten në mjediset e parlamentit tha se "Shtetet e Bashkuara i kundërvihen çdo përpjekjeje për të ndryshuar apo shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme. Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine.
Të shtunën ai shkroi në rrjetin social twitter se "një vendim për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme do të shënonte një pikë kthese larg sundimit të ligjit, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosovë, mos e zgjidhni atë të ardhme për fëmijët tuaj!, shkroi ai.
Edhe diplomatë të tjerë perëndimorë e cilësuan nismën të dëmshme për Kosovën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi në twitter se "mes spekulimesh është e rëndësishme që të gjithë të vazhdojnë të jenë të sigurt për të ardhmen e Kosovës dhe për proceset e saj demokratike. Shoqëria dhe udhëheqja e Kosovës mbeten plotësisht të angazhuara për demokraci, sundim të ligjit, pajtim, dialog dhe marrëdhënie në baza të barabarta dhe të drejta”, shkroi ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha të shtunën se nuk mund të komentojë nismën e deputetëve, por theksoi se do të respektojë çdo vendim të parlamentit.
"Ta kishin votuar dje me 61 vota, do të ishte ligj për mua dhe çdoherë do të jetë. Kur voto parlamenti, për qeverinë është ligj. Dhe ashtu quhet: ligj. Vendimet e parlamentit janë ligj. Parlamenti na ka punësuar ne. Mua më ka punësuar parlamenti edhe qeverinë. Nëse jo, mbesim në obligimet që i ka marrë po ky që është punëdhënësi im, parlamenti, në etapat tjera", tha kryeministri Haradinaj.
Kundër nismës janë shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila vlerëson se kjo është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme.
Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për kwtw gjykatë, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin "dhomat e posaçme" do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Facebook Forum