Lidhje

Kosovë: KQZ nuk certifikoi kandidatët e Listës serbe për zgjedhjet në komunat veriore


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i certifikoi katër kandidatët e subjektit Lista serbe, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, që do të mbahen më 19 maj.

Komisioni nuk siguroi dy të tretat e votave për certifikim meqë anëtarët e tij nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, abstenuan në votim.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton rikandidimin e kryetarëve të dorëhequr të komunave veriore meqë, në dorëheqjet e tyre kishin përdorur emrin jo kushtetues të Kosovës.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se Lista serbe duhet të zëvendësojë kandidatët e paraqitur për zgjedhjet e 19 majit.

“Unë kam pritur që për këto 24 orë, Lista serbe do të zëvendësojë tre nga katër kandidatët të cilët kishin dhënë dorëheqje para pesë muajsh, e që deklaratat e tyre të dorëheqjes, aktet e dorëheqjes në përmbajtje e konsideronin Kosovën pjesë të Serbisë dhe i referoheshin Kosovës si “Kosovë dhe Metohi”. Unë po ashtu kam pritur nga Lista serbe që të distancohet publikisht nga përmbajtja e këtyre deklaratave. Nëse e ka të pamundur që t’i zëvendësojë, të paktën le të jap dëshmi që distancohet nga përmbajtja e dorëheqjeve”, tha zoti Rrustemi.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe se subjekti Lista serbe mund të shtrojë ankesë për mos certifikim.

Tri subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, që do të mbahen më 19 maj.

Mos certifikimi i kandidatëve të Listës serbe nxiti reagimin e autoriteteve në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u tha gazetarëve se refuzimi i kandidatëve të Listës serbe përbën shkelje brutale të demokracisë. Ai tha se një vendim Ii tillë është shqetësues ndërsa paralajmëroi se për këtë çështje do të pres edhe mendimin e zyrtarëve evropianë gjatë takimit në Berlin të Gjermanisë.

Të katër komunat janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Tarifat qenë vënë më 21 nëntor nga qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Vendosja e tarifave bllokoi edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi të heqë dorë prej tyre me gjithë trysninë nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG