Lidhje

Kosova një ditë pas takimit Thaçi – Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi të martën parlamentit të Kosovës që të mbajë një seancë të mërkurën më 4 mars për ta njoftuar në lidhje me vizitën në Shtetet e Bashkuara, ku të hënën është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një bisedë të shkurtër me Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha të hënën se takimi u mbajt “duke dëshmuar vullnetin e mirë, pa ndonjë të veçantë, vullnetin dhe simbolikën e fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare që nënkupton paqen dhe stabilitetin për Kosovën, Serbinë por edhe tërë Ballkanin Perëndimor”

Ai tha se takimi e ka mesazhin e veçantë sepse Shtetet e Bashkuara “po rikthehen në pozicionin që e kanë pasur, atë të përcaktimit të agjendave paqësore dhe të perspektivës euro – atlantike për tërë Ballkanin Perëndimor”.

Ai tha se rëndësia e takimit të së hënës është e pakrahasueshme me të gjitha takimet që kanë ndodhur kudo në botë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për vet faktin se është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndërmjetësimin amerikan.

Kosova një ditë pas takimit Thaçi – Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka qenë në dijeni për këtë takim.

“Jam në dijeni që është i interesuar të vijë në Kuvendin e Republikës. Besoj që para se të shkojë ka qenë dashur të vijë në Kuvendin e Republikës, para se të shkojë ka qenë dashur të vijë te kryeministri i ri i Kosovës në mënyrë që të diskutojmë dhe dakordohemi për politikën e jashtme. Ne duhet ta kemi një politikë të unifikuar të jashtme si Republikës e Kosovës dhe është gabim e dëm që nuk ka ardhur në institucionet tona para se të provojë të bëj dakordime me presidentin e Serbisë”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se presidenti Thaçi u kthye nga Shtetet e Bashkuara “pa një deklarim të përbashkët me presidentin e Serbisë se lëre më pa marrëveshje dhe fakti që nuk kanë një marrëveshje presidenti i Kosovës me presidentin e Serbisë, besoj që është një dështim i dobishëm për Republikën e Kosovës”.

Takimi i presidentëve në Shtëpinë e Bardhë ndodhi gjatë kohës kur ata ishin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Pompeo: Me rëndësi që Serbia dhe Kosova t’u kthehen bisedimeve

Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, i cili priti të hënën presidentin serb, Aleskandër Vuçiç, ka vënë theksin tek rëndësia e kthimit në bisedimet me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit, thuhet se gjatë takimit me presidentin serb, sekretari Pompeo e ka “inkurajuar presidentin Vuçiç të shfrytëzojë situatën e krijuar me nënshkrimin e letrave të synimit për të krijuar lidhje ajrore, hekurudhore dhe autostradë midis Prishtinës dhe Beogradit”.

Ai po ashtu ka nënvizuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe synimet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nuk ka pasur ndonjë njoftim nga Shtëpia e Bardhë rreth takimit të së hënës, por të martën ambasadori Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi tha se “askush nuk po përpiqet që të lëvizet shpejt dhe nuk ka asnjë marrëveshje të madhe”.

Ai i bëri këto komente duke ju kundërpërgjigjur një postimi të gazetarit britanik Tim Judah, i cili shkroi se “Richard Grenell dhe presidenti Trump do të donin të lëviznin shpejt në një marrëveshje të madhe”.

Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar më parë që t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Të martën, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, tha se ka siguruar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Sierra Leone ku ndodhet për një vizitë.

Në ministrinë e Jashtme të Kosovës thanë se nuk kanë marrë ndonjë njoftim nga Sierra Leone.

Kryeministri Kurti, i cili ka hedhur propozimin për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, tha se vullnetit të mirë të Kosovës, Serbia po i përgjigjet me intensifikim të fushatës kundër njohjeve të Kosovës.

“I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, shkroi ai në rrjetin facebook.

“Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj”, shkroi kryeministri Kurti.

Propozimi i kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave nuk u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat thanë se nuk i mbështesin masat gjysmake dhe se qëndrimi amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.

Ndërsa, Bashkimi Evropian u shfaq me qëndrim më të butë duke mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.

Çështja e heqjes së tarifave ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Presidenti Thaçi ka bërë thirrje që të hiqen menjëherë për të mos dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Ai i tha të hënën Zërit të Amerikës se Kosova duhet të krijojë rrethana lehtësuese për komunitetin ndërkombëtar dhe për vetveten dhe shfaqi besimin se institucionet e Kosovës do të marrin vendime të përgjegjshme.

“Kokëfortësia e çon Kosovën vetëm prapa dhe e stagnon zhvillimin e Kosovës, ndërsa vendimet e mençura, kohezive e të koordinuara me Shtetet e Bashkuara janë ato që e çojmë vendin përpara”, tha ai

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG