Lidhje

Thaçi: Mungesa e marrëveshjes Kosovë – Serbi, rrezik për qëndrueshmërinë në rajon


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën në Prishtinë që nëse nuk ndodhë të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dyja vendet mund të hyjnë në një periudhë të rrezikshme, që mund të destabilizojë edhe rajonin.

Thaçi: Mungesa e marrëveshjes Kosovë – Serbi, rrezik për qëndrueshmërinë në rajon
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:07 0:00

Ai i bëri këto komente gjatë publikimit të një raporti të Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, sipas të cilit 89 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me vazhdimin e status quo-s në Kosovë.

Raporti vë në pah se 32 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë në këmbim të njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.

Sipas raportit, shumica e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale, që sipas tyre është e paqëndrueshme.

Po ashtu, sipas raportit, 86 për qind e të anketuarve nuk e mbështesin mundësinë e shtimit të përgjegjësive për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia. Shumica e qytetarëve shqiptarë kundërshtojnë Asociacionin pasi që frikësohen që me këtë do të krijohej në Republikë Serbe në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i kënaqur me rritjen e mbështetjes për idetë e korrigjimi të kufirit, me gjithë, siç tha ai, fushatën kundër kësaj mundësie që e kanë bërë partitë politike. Ai tha se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet gjatë këtij viti.

“Por nëse nuk ndodh, do të hyjmë në një fazë të rrezikshme të raporteve e cila do të mund të destabilizojë jo vetëm raportet tona si dy shtete por edhe rajonin. Fatkeqësisht situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese. Gjërat nuk po lëvizin fare, ne aktualisht jemi duke vend numëruar. Përkundër nismave të fundit për të zhbllokuar dialogun, rezultati është zero, takimi në Berlin dhe përpjekjet për samitin e Parisit”, tha ai.

Ai tha se nuk mund të pritet edhe njëzet vjet tjera që t’u jepet fund mosmarrëveshjeve ndërmjet dy vendeve dhe se është për keqardhje që klasa politike e Kosovës po dështon që të bashkohet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se projekti i Serbisë për ndarje të Kosovës ka dështuar, ndonëse ideja nuk ka vdekur.

“Projekti i Serbisë për ndarje të Kosovës në Serbi është quajtur kufizim me shqiptarët, përkufizim ndërsa në Kosovë është quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm. Kemi pasur dy emërtime për të njëjtën gjë, emërtimet e reja janë gjëra të vjetra. Kësisoj mund të themi që kemi arsye për gëzim por jo edhe festim, pra gëzim pa festë sepse vetëm projekti ka dështuar e ideja ende nuk ka vdekur”, tha zoti Kurti.

Zoti Kurti tha se mundësia e korrigjimit të kufirit do të mund të diskutohej vetëm pas anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohjes së saj nga Serbia.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se Kosova aktualisht është e pafuqishme ta ndalë Serbinë në rrugën e saj në integrimet evropiane dhe se shqetësimi sipas tij është që Serbia mund ta marrë datën për anëtarësim pas dështimit të përpjekjeve për përmbylljen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Në qoftë se deri tani kemi qenë peng e një zhurme politike e cila nuk ka prodhuar por e ka harxhuar gjithë oksigjenin politik në Kosovë, tani është ardhur koha që me të vërtetë roli i institucioneve dhe bartësve të saj të shkojë në drejtim të zgjidhjes së problemeve, që përfshinë listën e përparësive të përbashkëta si interes në republikën tonë përmes legjitimitetit të plotë politik. Jo zgjedhje për të hyrë në qeveri me çdo kusht, por zgjedhje për të përcaktuar përparësitë e qytetarëve, rikonfirmimin e mbështetjes qytetare dhe marrjen e përgjegjësisë për zgjidhjen e këtyre problemeve sepse sot Kosova është e pa udhëhequr me përgjegjësi të pritura përkundrazi po vazhdon të jetë peng i proceseve të brendshme”, tha ai.

Udhëheqësi i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, Shpend Ahmeti kritikoi udhëheqësit e institucioneve për qëndrime të ndryshme përballë faktorit ndërkombëtarë lidhur me mënyrën e zgjidhjes së problemeve me Serbinë. Ai tha se faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova që të jap diçka në këmbim të njohjes së pavarësisë nga ana e Serbisë.

“Arsyeja pse është ndërprerë dialogu është mos pajtimi ndërkombëtar për procesin, këtu ka një mospajtim themelorë, bazik në mes të disa shteteve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa shteteve që e përkrahin idenë që çdo marrëveshje e pranuar për të dyja palët është e pranueshme edhe për ta e deri tek shtetet si Gjermania e cila kategorikisht ka refuzuar çfarëdo zgjidhje e cila sjellë deri te ndryshimi i kufijve. Po të mos ishte kjo mosmarrëveshje mendoj që do të ishim më tutje në procesin e dialogut por është e qartë që janë përdorur edhe zgjedhjet në parlamentin Evropian edhe plot çështje tjera problematike në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kemi këtë situatë që është shumë e dëmshme për neve sepse nëse na lihet neve me zgjedh në mes të disa shteteve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ne jemi edhe të vegjël, nuk e kemi përvojën dhe as kapacitetin që të përballemi me një gjë të tillë”, tha zoti Ahmeti.

Aktualisht, bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë mbeten të bllokuara dhe të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e tyre. Serbia kërkon heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe si kusht për të vazhduar bisedimet, ndërsa Kosova kërkoi që të mos vihen kushte për bisedimet. Kjo çoi edhe në dështimin e takimit të Parisit, një nismë kjo e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, në përpjekje për të zhbllokuar bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG