Lidhje

Kosova me taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia


Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm dy javë pasi kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian me një taksë prej 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Vendimi u mor një ditë pasi Kosova nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e agjencisë ndërkombëtare të policisë, Interpol dhe për këtë fajësoi siç u tha “politikën agresive të Serbisë”.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se taksa ndaj Serbisë është e ligjshme dhe duhet të zbatohet 100 për qind.

“Janë bërë 20 vjet nga lufta, janë bërë 10 vjet nga pavarësia, shihet që Serbia nuk merr vesh ndonjë gjuhë tjetër vetëm kur detyrohet të merret vesh dhe këtë e dinë edhe Bashkimi Evropian edhe Amerika, që Serbia nuk po tregon mirëkuptim për normalizim, përkundrazi qasja e tyre është kundër normalizimit, pra nuk kemi zgjidhje shumë, duhet të mbrojmë interesin tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai tha se me këtë vendim Kosova po e respekton vetveten dhe se taksa, sic tha ai, është vendosur “prej zorit dhe jo prej qejfit”.

“Duhet të ketë dialog mirëpo edhe mbrojtja e interesit tonë është i pashmangshëm. Pra, ne nuk e kemi bërë këtë veprim në kalkulim kohorë, nëse dikush kujton që kjo është çështje ditësh dhe largohet, është mirë të kuptoj se nuk kemi shumë dalje, jemi mbështetur për muri si Kosovë. Janë bërë dhjetë vjet, pesëshja e Bashkimit Evropian nuk na njeh, jemi bllokuar në planin tjetër ndërkombëtar, nuk ka njohje nga Serbia, çfarë të presim ne? Edhe sa kohë do të vazhdojë të jetë kështu?”, tha kryeministri Haradinaj, pak pas mbledhjes së qeverisë në të cilinë u mor vendimi për taksën e re.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkroi në rrjetin social twitter se vendimi synon mbrojtjen e interesave jetike të shtetit të Kosovës .

“Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare. Ajo po ashtu është duke penguar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë jetik, qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë taksën doganore 100 për qind. Masat e mëtejme do të shpallen së shpejti”, shkroi ai.

Vendimi i së mërkurës pritet të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet edhe ashtu shumë të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte paralajmëruar se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën derisa nuk hiqet taksa prej 10 për qind, që ishte miratuar nga qeveria e Kosovës si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kosova importon nga Serbia mallra në vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit.

BE-ja kërkon heqjen e taksës

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Prishtinës të heqë dorë nga taksa e vendosur ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja. Në një komunikatë të zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, thuhet se vendimi është “shkelje e qartë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhë Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo e përkeqëson situatën që pasoi vendosjen fillestare të taksës prej 10 për qind. Qeveria e Kosovës duhet të tërheqë këto vendime menjëherë”, thuhet në komunikatën e zyrës së zonjës Mogherini.

Vuçiç: Nuk do të përgjigjemi me masa të njëjta

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takua me ambasadorët e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Kinës e Rusisë për të diskutuar masat e reja të Kosovës dhe më pas mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar taksën e vendosur nga Kosova.

Ai u tha medieve serbe se Prishtina mund të ketë disa synime me vendosjen e saj.

“Qëllimi i parë është trysnia e madhe që do të çonte në kapitullimin e Beogradit dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Qëllimi i dytë është që heshtazi të kryhet spastrimi etnik i serbëve nga Kosova”. Sipas tij bëhet fjalë për ndalim të tregtisë dhe “kjo fatkeqësisht është e mundur për shkak të marrëveshjes së vitit 2011 që ka vënë kufijtë ndërmjet serbëve dhe serbëve”.

“Qëllimi i tretë është trysnia mbi bashkësinë ndërkombëtare që ajo të bëjë lëshime për liberalizimin e vizave”, ndërsa sipas tij. “qëllimi i katërtë i mundshëm është që të nxiten konflikte dhe destabilizim i plotë i rajonit për interesa të dikujt”.

Por, ai hodhi poshtë mundësinë që “masat e Prishtinës të jenë hakmarrje për Interpolin”.

Presidenti serb tha se Beogradi është duke shqyrtuar kundërveprimet por “nuk do të ndërmarrë veprime të ngjashme dhe nuk do të shkelë CEFTA-n e as Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG