Policia e Kosovës, bëri të ditur se është pezulluar nga detyra ushtruesi i detyrës së komandantit të stacionit policor në Zveçan, një nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Në një komunikatë për opinion thuhet se “Pezullimi dhe fillimi i hetimeve të brendshme është bërë me kërkesë të drejtorit rajonal të policisë në Mitrovicë, pasi që besohet se ky oficer kishte dështuar të respektojë urdhrin dhe të përfillë zinxhirin komandues lidhur me hyrjen e paligjshme të një zyrtari të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës”.
Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi se për kënd bëhet fjalë, por, oficeri i pezulluar Dejan Vidojevic, ka refuzuar të zbatojë urdhrin për dëbimin e shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili ka qëndruar në veri pa kërkuar leje nga autoritetet e Kosovës.
Ai ka marrë pjesë në një takim të përfaqësuesve të strukturave serbë të mbështetura nga Beogradi në veri të cilëve u ka deklaruar se Serbia, i sheh si “pjesë e territorit të vet dhe kjo nënkupton se institucionet e saj dhe shteti serb do të mbeten aty”. Ai u premtoi përfaqësuesve serbë në zonë se do të jenë pjesë e ekipeve të Beogradit në bisedimet me Prishtinën.
Zyrtari serb qe dëbuar ditë më parë nga Kosova për shkak të mosrespektimit të lejes së vizitës së tij, ndërsa kësaj radhe kishte vendosur që të qëndrojë në veri, pa kërkuar leje.
Përfaqësues të serbëve në veri thanë gjatë takimit më zyrtarin serb se për ta pavarësia e Kosovës është e papranueshme, qoftë e mbikëqyrur apo pa të.