Lidhje

Vuçiç kërkon mbledhje të Këshillit të Sigurimit për shkak të ushtrisë së Kosovës


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia ka kërkuar mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të vendimit të parlamentit të Kosovës për themelimin e ushtrisë.

Pasi kishte qëndruar që nga mbrëmë në afërsi të kufirit me Kosovën për të vizituar trupat e tij, ai e cilësoi të premten mbrëma vendim të paligjshëm votimin në parlamentin e Kosovës dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar e Gjermaninë për mbështetjen ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Ai tha se diplomatët e huaj thonë se Kosova është sovrane dhe ka të drejtë, por tha ai, edhe në bazë të kushtetutës së atij “shteti” vendimi është i paligjshëm.

Ai tha se kjo është në kundërshtim me frymën e bisedimeve dhe shqiptarët dhe ata që e kanë mbështetur këtë vendim, e kanë rrezikuar paqen dhe sigurinë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimorë dhe për këtë arsye Serbia ka këkruar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Jam i gatshëm që si president personalisht të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe shpresoj që këtë ‘të mëdhenjtë’ e botës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk do t’ia shkurtojnë mundësinë një Serbie të vogël që të thotë faktet se si shkelet e drejta në Ballkanin Perëndimorë dhe çfarë rreziqesh kanë prodhuar me vendimet e tyre”, tha ai.

Ai tha se serbët në Kosovë nuk duhet të brengosen sepse Serbia nuk do të lejojë askënd që t’i përndjekë ata. “Çdo keqpërdorim i ushtrisë së tyre dhe hyrje atje ku hyrjen e kanë të ndaluar në pajtim me marrëveshjen që Serbia ka arritur me NATO-n, pra pa pajtimin e popullatës lokale, nuk ka hyrje të formacioneve të armatosura në veriun e Kosovës dhe nëse ju sulmojnë, Serbia do të ketë fuqi t’ju mbrojë”, tha ai.

Presidenti serb ritheksoi se nuk do të ketë bisedime derisa Kosova nuk tërheq tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, një vendim që qeveria e Kosovës e vendosi më 21 nëntor si kundërpërgjigje ndaj siç është thënë, fushatës agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG