Lidhje

Vuçiç: Nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës - kërkojmë kompromis


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha sot në Mitrovicë se Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por kërkon kompromis, që sipas tij nënkupton se askush nuk mund të fitojë gjithçka.

Vuçiç: Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:27 0:00

Ai i bëri këto komente në një fjalim në pjesën veriore të Mitrovicës, në përmbyllje të vizitës dyditëshe në Kosovë. Ai tha se nuk janë punë e tij "mitet, ëndrrat apo përfytyrimet apo vizionet e çmendura të Kosovës pa shqiptarë apo çka është me e rëndë, Kosovës pa serbë". Prandaj u tha ai qytetarëve të mbledhur në "nuk do të premtoj armë e municione edhe pse është e qartë se nuk do t'i lejojmë akujt të përdorë armë dhe municione kundër jush".

Ai tha se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet për një marrëveshje me shqiptarët në Kosovë, ndërsa hodhi poshtë pohimet se tashmë ka një projekt për një marrëveshje të tillë.

"Kur ju thonë se dua të ndryshoj kufijtë, nuk ua thonë të vërtetën sepse ku janë kufijtë sot? Ne mendojmë një gjë, shqiptarët që janë më të numër dhe më të fuqishëm në Kosovë mendojnë ndryshe. Një pjesë e botës mendon një gjë, pjesa tjetër një gjë tjetër", tha ai duke nënvizuar se synon të ndryshojë të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë.

"Për ata që me ditë, javë e muaj përdorin gënjeshtrën se dikush është bërë gati dhe do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës deri në vitin e ri, është gënjeshtër e plotë dhe askujt nuk i bie ndërmend një gjë e tillë".

Ai u tha të tubuarve se Serbia duhet të vlerësojë situatën në botë, duke përkujtuar si një udhëheqës të madh ish presidentin serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë. Ai tha se dëshirat e pararendësit të tij ishin joreale dhe Serbia nuk e kishte kuptuar se nuk ishte e vetme ne botë dhe pa botën nuk mundet dhe prandaj ka paguar çmim të lartë.

Nuk lejohet vizita e presidentit serb në Drenicë

Grupe qytetarësh nga komuna e Skenderajt në Kosovën qendrore, bllokuan të dielën në mëngjes rrugën që çon për në fshatin Banjë të kësaj komune, që banohet nga qytetarë të komunitetit serb, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në atë fshat.

Në protestën e sotme u tha se presidenti serb nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Presidenti serb u tha gazetarëve në mëngjes se do të provojë të shkojë në fshatin Banjë përmes rrugëve anësore. Por, policia e Kosovës që siguron vizitën e tij, e ndaloi atë meqë autoritetet në Prishtinë vendosën pas protestave të tërheqin lejen për vizitën në këtë fshat.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se "siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë".

Presidenti serb më pas u kthye në Mitrovicë dhe prej andej tha se ka biseduar në telefon më serbët e fshatit Banjë.

Forcat paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë thanë se "KFOR-i po punon në bashkërendim me institucionet e Kosovës dhe policinë për sigurinë e presidentit serb. Askush nuk po e kërcënon zotin Vuçiç dhe siguria e tij është e garantuar. Sa i përket protestave dhe bllokimit të rrugës për në fshatin Banjë, KFOR-i është në kontakt të ngushtë me policinë e Kosovës për të hequr bllokadën dhe për të rivendosur lirinë e lëvizjes. KFOR-i po punon që kjo të ndodhë në mënyrë paqësore, por është u gatshëm të ndërhyje në pajtim me mandatin e tij si "përgjegjësi i tretë" nëse kërkohet një gjë e tillë", thuhet në një njoftim të forcave paqeruajtëse.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetet sociale tha se ka mirëkuptim për reagimin e qytetarëve të Drenicës, "të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta". Megjithatë, shkruan ai, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë. Prandaj, unë e kuptoj edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banje, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite. Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor. Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit", shkroi presidenti Thaçi.​

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, shkroi në rrjetet sociale se "ishte një fundjavë e vështirë. I vlerësoj përpjekjet për të ruajtur sigurinë. Protestat paqësore do ta paraqisnin më mirë Kosovën që e njoh. Duhet shumë punë për të ulur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të normalizuar marrëdhëniet. Shpresoj që kjo fundjavë do të shihet si një kthesë pozitive", shkroi ai.

​Ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, shkroi se "tensionet gjatë vizitës së Vuçiçit në Kosovë, dëshmojnë sërish nevojën për arritjen e kompromisit dhe normalizimin e marrëdhënieve. Keq që barrikadat në rrugë penguan vizitën e presidentit në Banjë. Por, është mirë që pjesa tjetër e vizitës së tij vazhdoi pa incidente”, shkroi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasditen e së dielës u largua nga Kosova, ku qëndroi për dy ditë, në një periudhë debatesh për ndryshime kufijsh në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Presidenti serb e ka shpallur më parë politikë të tij atë që ai e quan kufizim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

Prishtina e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, ndërsa është përfshirë në debate të rrepta rreth idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për "korrigjimin e kufirit" që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën.

Këto ide, përveç reagimeve të brendshme në Serbi dhe Kosovë, nxitën ndarje edhe në skenën ndërkombëtarë midis atyre që mbështesin një ndryshim nëse bëhet me pajtimin e palëve dhe atyre që e kundërshtojnë atë, për shkak të pasojave që mund të kishte për rajonin.

Të premten pritej që të dy presidentët të diskutojnë mbi idetë e tilla në Bruksel në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Por takimi i tyre nuk ndodhi për shkak të refuzimit të presidentit serb që të takohej me presidentin e Kosovës, për shkak të siç u tha qasjes së Prishtinës ndaj procesit.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Ajo po ecën në rrugën e ngushtë ndërmjet aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve të ngushta me Moskën e cila nuk i sheh më sy të mirë proceset e integrimeve euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti serb e siguroi Moskën nga Mitrovica se vendi i tij nuk do të jetë asnjëherë pjesë e NATO-s, e cila nëntëmbëdhjetë vjet më parë ndërmori një fushatë bombardimesh për t'u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG