Lidhje

Daçiç: “Përralla dhe gënjeshtra që Kosova është e jona”


Kryeministri serb Ivica Daçiç shkruan në një gazetë të Beogradit se është koha që Serbia të përcaktojë kufijtë e saj real

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, tha se serbët janë gënjyer për shumë kohë me pohimet se Kosova është serbe, prandaj është koha që Serbia përfundimisht të përcaktojë kufijtë e saj real.

Në një shkrim autorial në gazetën beogradase NIN, ai tërheq vërejtjen se “për dhjetë vjet me radhë, çështja e Kosovës ishte tabu. Askush nuk ka mundur që zyrtarisht të thotë të vërtetën. Janë treguar përralla dhe gënjeshtra që Kosova është e jona. Ky qëndrim nuk ndihmon aspak. Presidenti i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë, as kryeministri dhe as ndonjë ministër. Aq më pak policia dhe ushtria serbe”, ka thënë ai.

Ai tërheq vëmendjen se Serbinë e pret një punë e pa kryer që ka të bëjë me caktimin e hapësirave të veta dhe ngritjen e kufijve real shtetëror.

Beogradi, thotë ai, “duhet të shtojë përpjekjet që të ruajë atë që është e mundshme nga Kosova dhe t’i mundësohet komunitetit serb një jetë normale dhe një e ardhme më e qartë. Në këtë mënyrë, do të ketë të ardhme edhe për vetë Serbinë”, ka thënë
kryeministri serb në një paraqitje që nga vëzhguesit shihet si një kthesë e madhe në qasjen e qeverisë serbe ndaj çështjes së Kosovës, në funksion të integrimeve evropiane.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është angazhuar në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ,meqë kjo është kusht që ajo të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nga nje ruand bisedimesh Kosovë - Serbi
Nga nje ruand bisedimesh Kosovë - Serbi

Serbia është pajtuar që t’i jap fund pranisë së strukturave të mbështetura prej saj në veriun e Kosovës, por kërkon një shkallë të lartë autonomie për atë zonë, nëpërmjet krijimit të bashkësisë së komunave serbe.

Prishtina zyrtare është shprehur në favor të krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por ka hedhur poshtë çdo mundësi që ai asociacion të ketë çfarëdo pushteti ekzekutiv.

Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë që qeveria të jetë e kujdesshme në bisedimet që do të vazhdojnë më 20 mars, sepse çdo forcim i asociacionit të komunave që është paraparë edhe më dokumentet në fuqi, mund të dëmtojë funksionimin e shtetit.

Edhe vëzhgues vendas e ndërkombëtarë kanë shfaqur drojën se një asociacion komunash me funksione ekzekutive, do të mund të krijonte një entitet të veçantë ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.

Një mundësi e tillë është hedhur poshtë nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa edhe zyrtarët serbë kanë theksuar se nuk është kërkuar një gjë e tillë.

Opozita në Serbi, thotë se qasja e Beogradit zyrtar po çon drejt pavarësisë së Kosovës dhe sipas kryetarit të Partisë Demokratike serbe, Vojisalv Koshtunica, do të ishte në interesin e Serbisë që bisedimet aktuale të dështojnë në mënyrë që në të ardhmen të hapen bisedime nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
XS
SM
MD
LG