Takimi i Parisit, nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për të zhbllokuar bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk do të mbahet.
Kjo u bë e për Zërin e Amerikës nga diplomatë perëndimor, të cilët konfirmuan se takimi nuk është në agjendë.
Shpresat që Parisi të ndodhë, u shuan pas një takim të nivelit teknik ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, që është mbajtur në Berlin një ditë më parë, larg syve të opinionit.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Selim Selimi dhe ish udhëheqësi i bisedimeve teknike, Avni Arifi, janë takuar me një delegacion të Serbisë, i kryesuar nga shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç.
Temë e diskutimeve ishte hapja e mundësive për të vazhduar bisedimet dhe përgatitjet për takimin e Parisit, por siç thanë në qeverinë e Kosovës edhe për të diskutuar mundësitë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Por, të dyja palët kanë ngulur këmbë në qëndrimet e tyre. Derisa Serbia kërkoi heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe si kusht për ta vazhduar bisedimet, Kosova kërkoi që të mos vihen kushte për bisedimet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten nga Bjellorusia, ku po qëndron në një vizitë zyrtare, se nuk do të ketë takim në Paris dhe se sipas tij edhe gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato.
Qeveria e Kosovës në një përgjigje dhënë Zërit të Amerikës, tha se “kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht ka theksuar se Kosova është e gatshme të ulet në tavolinë, por pa kushte për bisedime dhe kërkon me ngulm një kornizim të dialogut dhe një marrëveshje përfundimtare që çon në njohje të dyanshme”.
Kosova e Serbia po përballen me trysni ndërkombëtare për të rifilluar procesin e bisedimeve, proces ky që mbetet i bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pas vendosjes së tarifave nga ana e qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi sot nëpërmjet rrjeteve sociale se zyrtarë dhe afaristë serbë në veri të Mitrovicës së bashku me Beogradin zyrtar, po përgatisin një plan për të paraqitur siç thotë gjendjen e një katastrofe humanitare në atë pjesë të Kosovës. Sipas kryeministrit “boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilin qeveria e Kosovës është e informuar”, shkroi ai.
Kryeministri Haradinaj tha se “organet e sigurisë së Kosovës kanë marr informata se organizimi do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ (Mbrojtja Civile) në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq”.
Ai tha se Kosova “nuk do të qëndroj duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim” ndërsa u bëri thirrje kryetarëve të komunave në veri dhe qytetarëve të mos bien pre e këtyre provokimeve.
Takimi i Parisit, ishte parë si një mundësi për të rifilluar bisedimet e pezulluara në kërkim të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për proceset integruese të tyre.
Facebook Forum