Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi, përfundojnë pa marrëveshje


Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, i dhanë fund takimit të sotëm pa marrëveshje rreth çështjeve të drejtësisë në veriun e Kosovës, që ishte temë kryesore e bisedimeve të sotme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Takimi i sotëm cilësohej me rëndësi thelbësore për Serbinë dhe synimet e saj për të marrë datën e fillimi të negociatave për anëtarësim më Bashkimin Evropian.

Para fillimit të takimit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shfaqi besimin se do të do të përmbyllen çështjet e institucioneve të drejtësisë në veri të cilat, siç tha ai, do të funksionojnë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.



Por, pas përfundimit ai tha se nuk është arritur pajtim për këtë çështje, ndërsa debatet do të vazhdojnë nga grupet e ekspertëve.

Ai tha se Kosova po bënë të gjitha veprimet për zbatimin e marrëveshjes së muajit prill për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Serbia nuk duhet të vonohet dhe të pengojë zbatimin e marrëveshjes. Do të kemi një sistem unik policor, doganor dhe të drejtësisë, sipas standardeve dhe ligjeve kosovare”, tha ai.

Kryeministri Thaçi tha se asociacioni i komunave serbe, i cili parashihet me marrëveshjen e 19 prillit, do të ketë rolin e një organizate joqeveritare.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, do të raportojë në fillim të javës para shteteve anëtare të BE-së mbi përparimin në bisedime dhe nga vlerësimet e tij varet nëse javën që vjen, Serbisë do t'i caktohet data për nisjen e negociatave për anëtarësim.
XS
SM
MD
LG