Lidhje

Serbia kundër Forcave të Armatosura të Kosovës


Autoritetet serbe janë shprehur kundër formimit të forcave të armatosura të Kosovës, ndërsa kanë shprehur synimin që këtë çështje ta shtrojnë për debat në KS të OKB-së

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha të martën në Beograd se Serbia do të dëshironte që çështja e Forcave të Armatosura të Kosovës, të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai i bëri këto komente në hapje të seminarit treditësh me temën “Serbia, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti euroatlantik”, që po mbahet në Beograd, me organizimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në seminar, në cilësinë e vëzhguesit, po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e parlamentit të Kosovës.

Serbia kundër Forcave të Armatosura të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Shefi i diplomacisë serbe tha në fjalën e tij se Serbia është kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, meqë kjo sipas tij nuk është në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mendojmë se kjo mund të ketë pasoja për sigurinë në rajon, meqë kur ishte ndërprerë lufta në Kosovë, të vetmet forca të armatosura që ishin paraparë ishin forcat ndërkombëtare të KFOR-it”, tha ai.

Një vit më parë, qeveria e Kosovës vendosi që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura, që do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë. Ngritja e këtyre forcave nënkupton miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Veprimet e tilla kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare. Në pranverën e vitit të kaluar, parlamenti dështoi të miratojë themelimin e këtyre forcave dhe ai dështim ishte vendimtar, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Themelimi i tyre nuk shihet me sy të mirë as nga serbët lokal në Kosovë. Ministri i jashtëm serb tha se në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, NATO-ja kishte dhënë garanci se nuk do të ketë shtrirje të formacioneve ushtarake të shqiptarëve në veri të Kosovës, pa pëlqimin e KFOR-it.

Kjo është një materie e ndërlikuar dhe mendojmë se për këtë do të duhej të bisedohej në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo nuk dëshirohet, meqë konsiderohet se nuk ka të bëjë me materien dhe se kjo është një çështje e pavarur që e rregullojnë autoritetet e Prishtinës. Kjo është një temë rreth të cilës ka mospajtime”, tha ai.

Gjatë seminarit në Beograd do të diskutohen pika të ndryshme me rëndësi për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë integrimin euroatlantik, bashkëpunimin rajonal, lutën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa të enjten temë e diskutimeve do të jenë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh në përpjekje për të siguruar afrimin më të shpejtë me Bashkimin Evropian.

Në janar të vitit 2014, Serbia fitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Por, që atëherë asnjë nga kapitujt e negociatave nuk është hapur për shkak të dështimit në përmbushjen e plotë të marrëveshjeve. Në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian, Gjermania është më e zëshmja në qëndrimin se asnjë nga kapitujt e negociatave për anëtarësim të Serbisë nuk mund të hapet para kapitullit që ka të bëjë me Kosovën.

XS
SM
MD
LG