E marta në Kosovë është ditë zie në nderim të ish kryeministrit të parë të pasluftës, Bajram Rexhepi, i cili u varros pasdite në fshatin Shipol të komunës së Mitrovicës.
Gjatë ditës në parlamentin e Kosovës dhe në komunën e Mitrovicës u mbajtën homazhe në nderim të tij.
Ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ndërroi jetë në Turqi ku po trajtohej pas një goditjeje në tru që nga muaji prill i këtij viti.
I lindur në Mitrovicë më 3 qershor të vitit 1954, zoti Rexhepi për një kohë të gjatë punoi si kirurg në atë qytet dhe në këtë cilësi i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mars të vitit 2002 ai u bë kryeministri i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001 dhe drejtoi qeverinë e koalicionit të gjerë deri në vitin 2004.
Për një kohë ai ishte kryetar i komunës së Mitrovicës dhe më pas ministër i Brendshëm në qeverinë e Kosovës.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 ai u tërhoq nga politika për të vazhduar profesionin e kirurgut në Mitrovicë.
Udhëheqës institucionesh e partish politike ngushëlluan familjen e ish kryeministrit Rexhepi, duke e cilësuar atë si humbje të madhe për Kosovën. Në një mbledhje përkujtimore, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, e vlerësuan lartë personalitetin e ish kryeministrit Rexhepi.
Edhe udhëheqës të institucioneve tjera dhe partive politike por edhe diplomatë perëndimorë shprehën pikëllimin për vdekjen e ish kryeministrit Rexhepi, duke e cilësuar atë si një personalitet e veprimtar të shquar që la gjurmë në historinë bashkëkohore të Kosovës.
Facebook Forum