Në Kosovë autoritetet u bënë thirrje pesë kompanive botërore që janë përzgjedhur në konkurrencën e ngushtë për privatizimin e Postës dhe telekomit, të përfshihen në procesin tenderues për blerjen e 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje publike.
Të pesë kompanitë u përzgjodhën në rrethin e ngushtë të konkurruesve në muajin gusht, pak kohë pasi që autoritetet rishpallën ftesën për privatizimin e Postës dhe Telekomit, pas dështimit të këtij procesi në vjeshtën e vitit të kaluar.
Procesi qe mbyllur në tetor të vitit 2011, pasi që nga konkurrenca u tërhoq Telekomi kroat, njëra nga dy kompanitë që kishin mbetur në rrethin e ngushtë për blerjen e 75 për qind të aksioneve në këtë ndërmarrjeje që është më fitimprurësja në Kosovë.
Aktualisht vlerësohet se ajo ka mbi një milion shfrytëzues të shërbimeve telefonike celulare dhe të rrjetit tokësor.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kishte përcaktuar kriteret nëpërmjet të cilave, synohet të identifikohen operatorët e telekomit dhe investitorët financiar, të cilët kanë përvojë në sektorin e telekomunikacionit dhe të cilët kanë mundësi të mjaftueshme financiare, teknike, drejtuese dhe organizative për menaxhim të suksesshëm të kompanisë.
Dështimi i procesit vitin e kaluar pasoi akuzat kundër Shefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit Shyqyri Haxha dhe anëtarit të bordit drejtues të kësaj ndërmarrjeje Rexhë Gjonabalaj, nën dyshimet për nënshkrimin e kontratave të dëmshme për Postën dhe Telekomin e Kosovës.
Vendimi për privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit, u miratua në Parlamentin e Kosovës në mars të viti 2011, duke nxitur kundërshtimin e ashpër të partive politike opozitare.
Mospajtimet rreth këtij privatizimi në vjeshtën e vitit 2010 ishte një nga shkaqet që çuan në krizën institucionale në vend, që u pasua me zgjedhjet e parakohshme të fundit të atij viti.
Pjesë e konkurrencës për blerjen e Postës dhe telekomit është edhe kompania amerikane “Albright Capital Management LLC”, që drejtohet nga ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, një nga personalitetet kryesore që drejtuan procesin e përfundimit të luftës në Kosovë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i mbështetur edhe nga dhjetëra organizata joqeveritare filluan javën e kaluar mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës si dhe dy ndërmarrjeve tjera publike.