Lidhje

Jep dorëheqje ministrja e Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj – Stublla


Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha të martën se ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë si dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Jep dorëheqje ministrja e Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj – Stublla
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Dorëheqja e saj pasoi vendimin e një dite më parë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e votave të hedhura me kusht dhe atyre nga diaspora për kandidatët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Vendimi që ishte pjesë e trajtimit të mbi 200 ankesave, pasoi pretendimin e kandidates së kësaj partie Florentina Gjergjaj, sipas së cilës “kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, në mënyrë artificiale i është rritur numri i votave nga personat që kanë futur të dhënat në sistem apo nga personat kompetentë, të cilët kanë bërë numërimin dhe rinumërimin e votave”.

Në arsyetimin e vendimit, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa i është referuar edhe një video materiali të publikuar nga gazeta në internet Insajderi, ku tre persona dëgjohen duke diskutuar lidhur me “manipulimin e votave” në Qendrën për Numërimin e tyre dhe përgjatë diskutimeve, përmendet edhe emri i bashkëshortit të zonjës Haradinaj-Stublla, të ketë ofruar para në shkëmbim.

“Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia”, shkroi të martën në mëngjes në llogarinë e saj në facebook zonja Haradinaj-Stublla.

Në një postim më të gjatë ajo tha se “këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”.

Ajo i bëri thirrje prokurorisë së shtetit “të ndriçojë para së gjithash vërtetësinë e video-inskenimit të plasuar në mënyrë të dyshimtë në pseudo-portale dhe faktimin e vërtetësisë së të gjitha pretendimeve që implikojnë familjen time dhe mua”.

Një ditë më parë duke komentuar vendimet e Panelit Zgjedhor, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha mes tjerash se “manipuluesit kushdo qofshin dhe për interesa të kujtdo qofshin, ju uroj dënime meritore”, ndërsa u bëri thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë parregullsitë dhe të marrin masat e duhura në pajtim me ligjin.

Zonja Haradinaj-Stublla u bë ministre e Jashtme në qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti. në qershor të vitit 2020, e cila u themelua pas rrëzimit të qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti më 25 mars të vitit të kaluar.

Qeveria Kurti u rrëzua me një mocion mosbesimi të ngritur nga Lidhja Demokratike që ishte në koalicion me lëvizjen Vetëvendosje. Më pas Lidhja Demokratike formoi qeverinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe pakicat kombëtare.

Qeveria Hoti u rrëzua në dhjetor të vitit të kaluar, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në të cilat doli fituese lëvizje Vetëvendosje e zotit Kurti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG