Lidhje

Kosovë: Albin Kurti e Vjosa Osmani – së bashku në zgjedhjet e 14 shkurtit


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e nismës Guxo, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e parlamentit dhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, nënshkruan të enjten një marrëveshje për të kandiduar së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Sipas marrëveshjes, që u nënshkrua në mjediset e parlamentit të Kosovës, Albin Kurti do të kandidojë për postin e kryeministrit ndërsa Vjosa Osmani për postin e presidentes së vendit.

Kosovë: Albin Kurti e Vjosa Osmani – së bashku në zgjedhjet e 14 shkurtit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00


“Pra, po do të kandidojmë me zotin Kurti për kryeministër dhe për rilegjitimim të presidentes, pra do të jem unë personi që do ta kërkoj këtë rilegjitimim sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit dhe ky unitet më së miri sigurohet nëse kthehemi te ky popull dhe kërkojmë mendimin dhe qëndrimin e tyre edhe rreth presidentit. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për procedurat në Kuvendin e Kosovës, mirëpo një president që ka legjitimitet popullor, presidentja në këtë rast, më së miri e përfaqëson këtë tipar kushtetues”, tha zonja Osmani.

“Presidentja në detyrë zonja Osmani dhe unë ish kryeministri me subjektet tona politike do të jemi në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike të cilën posa e nënshkruam para jush, marrëveshje kjo për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim për të gjithë qytetarët pa dallime, diskriminime e favorizime. Në fushatën zgjedhore do të jemi dhe do të angazhohemi bashkë”, tha zoti Kurti.

Ai tha se Kosova ka nevojë për kryeministër dhe presidente të re dhe zgjedhjet e 14 shkurtit sipas tij janë referendum për të ardhmen e vendit.

“Në njërën anë është i rëndësishëm rikthimi i qeverisë të mirë me mua kryeministër dhe në anën tjetër kemi presidenten në detyrë e cila duhet të rilegjitimohet dhe 14 shkurti është referendum gjithpopullor për këtë gjë. Qytetarët na njohin mirë dhe e dinë çfarë përfaqësojmë dhe për këtë ne do të angazhohemi bashkë pa pushim dhe kursim”, tha zoti Kurti.

Zonja Osmani, tha se marrëveshja përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bashkim rreth një kauze për një të ardhme më të mirë.

“Kjo që është arritur sot shkon përtej emrave individual apo bindjeve ideologjike sepse kjo marrëveshje në fondament ka qëllime të përbashkëta, atë të luftimit të kapjes së shtetit, padrejtësisë e pabarazisë dhe angazhimit për rimëkëmbje, mirëqenie dhe dinjitet. Sot e për katër vitet në vijim, por edhe përtej këtyre katër viteve, ne jemi të vendosur për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, për të ndërtuar një vend që prioritizon arsimin dhe shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisin dhe mirëqenien e secilit e secilës për ju, duke siguruar një rimëkëmbje ekonomike të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe inovative. Jemi të vendosur për të respektuar dhe mbrojtur kushtetutën e Republikës tonë si dhe për të garantuar sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës”, tha zonja Osmani.

Zonja Osmani tha se Kosova ka nevojë për një kryeministër që nuk dorëzohet përballë luftës së pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Jemi një muaj larg zgjedhjeve dhe kjo që arritëm sot reflekton pikërisht vullnetin e qytetarëve, tek sa mbetet përfundimisht në dorën e tyre që të vuloset fati i vendit tonë në mënyrë plebishitare me 14 shkurt”, tha zonja Osmani.

Zoti Kurti dhe zonja Osmani në zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019, ishin kandidatë për postin e kryeministrit. Zonja Osmani ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës që doli e dyta në ato zgjedhje dhe të dyja partitë politike formuan koalicionin qeverisës, i cili u rrëzua pas 50 ditësh përmes një mocioni të Lidhjes Demokratike. Kjo çoi edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve dhe ndarjen e rrugëve ndërmjet zonjës Osmani dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG