Lidhje

Kosovë: Gjykata Kushtetuese pezullon deri me 29 maj zbatimin e dekretit për mandatarin e ri


Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të premten masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.

Vendimi i Gjykatës pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi e cila njëkohësisht kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ajo “vendosi të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020” dhe të pezullojë mënjehërë zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën e parë të këtij diapozitivi”.

Në vendim thuhet se “gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi të enjten dekretin për mandatarin e ri dhe menjëherë pas kësaj Lidhja Demokratike kërkoi që seanca për votimin e kabinetit të ri të mbahet të shtunën. Po të enjten lëvizja Vetëvendosje e dërgoi cështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Të premten gjykata tha se do të trajtojë me urgjencë kërkesat dhe deri në mesditë prit “komentet e palëve përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme”.

Ndërsa “komentet përkitazi me meritat e kërkesës”, palët duhet t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj.

Vendimi i zotëm pezulloi zbatimin e dekretit të presidentit Thaçi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës lidhur me kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së dekretit.

Gjykata Kushtetuese ka një afat prej 60 ditësh për të vendosur, por vëzhguesit besojnë se shqyrtimi i kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit do të marrë më pak kohë duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet Kosova.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi t’i jap mundësinë Lidhjes Demokratike për formimin e qeverisë pas disa letrave dërguar kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti duke i kërkuar emrin e mandatarit për qeverinë e ri pas rrëzimit të qeverisë së zotit Kurti më 25 mars. Por, zoti Kurti nuk dërgoi ndonjë emër duke kërkuar shpjegime nga presidenti Thaçi rreth procesit. Kushtetuta nuk parasheh një afat të qartë se deri kur duhet të përgjigjet partia e parë, megjithatë presidenti vendosi pas këshillimit më partitë politike që t’i jap mandatin atij që dëshmon se ka një shumicë parlamentare.

Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkroi marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare dhe pas dekretimit nga presidenti u shpreh e e bindur se ka siguruar votat e mjaftueshme për miratimin e kabinetit të ri që sipas kandidati i për postin e kryeministrit Avdullah Hoti do të ketë 16 ministri.

Ajo kërkoi që seanca e parlamentit për miratimin e qeverisë së re të mbahet të shtunën më 2 maj.

Procesi kundërshtohet nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja pas pandemisë së koronavirusit dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti Thaçi mbështeti dekretin e tij në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet pos tjerash që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkon që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike u miratua me 25 mars në parlamentin e Kosovës duke e lënë vendin me qeveri në detyrë në mes të përballjes me pandeminë e koronavirusit.

Analisti Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se vendosja e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese shmangu situatën në të cilën vendi do të kishte dy qeveri “qeverinë Kurti dhe atë Hoti, kështu për herë të parë në Kosovë do të vinim në situatë ku do të kishim dualizëm dhe mosbesim se cila është qeveria legjitime”.

Zoti Miftaraj tha se presidenti Thaçi nuk është dashur t’i jap të drejtën Lidhjes Demokratike pa u shterë të gjitha mundësitë për partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërsa sipas tij presidenti është dashur të kërkoj një opinion nga Gjykata Kushtetuese lidhur me atë se çka mund të konsiderohet e quhet afat i arsyeshëm kohor.

“Ne e kuptojmë qasjen e gjykatës Kushtetuese që ka ndërtuar praktikën që të mos interpretojë Kushtetutën për situata hipotetike, por rasti konkret ka të bëjë me një situatë kur jemi në krizë politike dhe me qëllim që presidenti apo institucionet tjera të mos kryejnë shkelje kushtetuese është e domosdoshme që gjykata Kushtetuese të luaj rolin e saj vital dhe të interpretoj apo të jap mendim se cili është afati i arsyeshëm kohor kur lëvizja Vetëvendosje, parti fituese, do të duhej të dërgonte propozimin për mandatar për formimin e qeverisë”, tha zoti Miftaraj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG