Lidhje

Mustafa: Do të nisim mocionin për rrëzimin e qeverisë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Lidhja Demokratike do të nisë mocionin e mosbesimit të qeverisë Kurti.

Ai e bëri këtë paralajmërim vetëm disa orë pasi që kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkon presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit.

Lidhja Demokratike e cilësoi vendimin të papranueshëm dhe kryesia e kësaj partie diskutoi situatën në orët e mbrëmjes.

“Sot ka ndodhur një veprim i papritur dhe i paparalajmëruar i kryeministrit, do të thotë është shkarkuar një ministër i LDK-së në kundërshtim me marrëveshjen për koalicionin”, tha zoti Mustafa, duke e cilësuar shkarkimin si “një veprim arbitrar, krejtësisht të panevojshëm në këtë situatë që ne po ballafaqohemi me luftën kundër një virusi të tmerrshëm që ka kapluar vendin tonë dhe po ashtu nuk kemi njohuri se çfarë do të ndodh nesër”.

Kjo, tha ai, domethënë që “zoti Kurti nuk dëshiron të bashkëpunoj me neve dhe se zoti Kurti nuk dëshiron të bëj veprime që sigurojnë relacione të shëndosha me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë evropianë”.

“Kemi vendos që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi pjesë e një qeverisje të tillë dhe po ashtu jemi të bindur se një qeveri e tillë rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të dhe prezencën ushtarake dhe paqësore amerikane këtu, prezencën e saj ekonomike dhe po ashtu përkrahjen politike që kemi pasur dhe duhet ta kemi të ardhmen për njohje të reja, jo për çnjohje dhe për rrugën euroatlantike të vendeve tona sepse ne presim dhe synojmë të jemi pjesë e aleancës së NATO me FSK-në tonë dhe assesi që amerikanët të tërhiqen nga FSK dhe të mos kemi perspektivë ekonomike, as sociale as ushtarake”, tha zoti Mustafa.

Ai tha se mospajtimi themelor me lëvizjen Vetëvendosje qëndron “në përkeqësimin dhe rrezikimin e marrëdhënieve me SHBA. Diçka me të cilën ne nuk pajtohemi sepse nuk shohim perspektivë e ardhmëri të këtij shteti pa prezencën dhe përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-së”.

Kurti: Po presim çfarë do të bëj LDK-ja para se të përgjigjemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të pres të shoh veprimet e Lidhjes Demokratike para se të komentojë nismën e saj, ndërsa foli më gjatë për vendimin e tij për shkarkimin e ministrit të Brendshëm.

“Ne duhet të presim se çka do të bëjnë, shkruajnë, thonë e veprojnë, mandej të përgjigjemi. Por, tash duhet të përqendrohemi me gjithë kabinetin për luftimin e virusit korona, t’i maksimizojmë përpjekjet e t’i shtojmë masat, masat mund të jenë të jashtëzakonshme por gjendja jo, e aq më pak e shpallur nga një ministër në mesnatë”.

Ai tha se ish ministri Veliu, “ka përhapur panik duke thënë se numri i te infektuarve me koronavirus po rritet nga ora në orë. Natyrisht që 19 të infektuarit deri mbrëmë nuk ishin për 19 orë, mbase për 19 ditë por jo orë. Të thuash pa kurrfarë evidence, baze shkencore apo raporti institucional se numri i të infektuarve po shtohet nga ora në orë është e papërgjegjshme, por kur ke edhe përgjegjësi ekzekutive është e dënueshme”.

Ai tha ndërkaq se është e palejueshme që një ministër të mbështesë idenë për shpallje të gjendje të jashtëzakonshme e cila është kundërshtuar nga kryeministri.

Ai hodhi poshtë kritikat për qasje antiamerikane duke theksuar se “kur e luftojmë krimin e korrupsionin me aq sa mundemi tash për tash në një shtet i cili ende ngelet i kapur sepse vetëm qeveria ka ndërruar, kundërshtarët përpiqen që të fshihen, dhe streha e tyre janë thirrjet dëshpëruese që s’i beson më askush për kinse anti amerikanizmin e kryeministrit. Këto i kanë thënë edhe kur ka filluar Lëvizja Vetëvendosje edhe kur unë tash punoj e veproj si kryeministër”, tha ai duke nënvizuar se Kosova është mbase vendi më proamerikan në botë.

Shkarkimi i ministrit të Brendshëm, ishte çarja në serioze ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës i cili ishte përballur me mospajtime rreth tarifave ndaj mallrave serbe.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Kryeministri Kurti ritheksoi të mërkurën qëndrimin e tij për heqjen e kushtëzuar të tarifave duke iu zëvendësuar ato me masa të reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Të vendosura në në nëntor të vitit 2018, tarifat çuan në pezullimin e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG