Lidhje

Kosovë: Arrestohet gruaja që reagoi ndaj vrasjes së Soleimanit


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një grua e cila në rrjetet sociale kishte shprehur pikëllimin pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani

Policia tha shkurt se drejtoria kundër terrorizimit në bashkëpunim me prokurorinë e posaçme të Kosovës, ka kryer bastisje dhe e dyshuara është intervistuar para se t’i caktohej masa e ndalimit prej 48 orësh. Por ajo nuk dha më shumë hollësi dhe as e bëri të ditur identitetin e saj.

Mediet lokale thanë se e arrestuara është Ikballe Berisha – Huduti, drejtoreshë e Institutit Kërkimor Ndërkombëtar ‘Naim Frashëri’ në Prishtinë.

Pas vrasjes së gjeneralit iranian ajo kishte shkruar në rrjetet sociale se “njerëzit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajnë gjak krimineli, ata janë te vdekur por vetëm frymojnë për tu turpëruar vet dhe kombin e vet kriminel. Kriminelët ta deshën vdekjen e cila nuk është vdekje por shehidllek me i bukur qe ka mund ta ketë dikush ne shekullin 21”, kishte shkruar ajo në facebook.

Më pas ajo e kishte fshirë postimin e saj dhe kishte paralajmëruar padi ndaj medieve që e kishin cituar atë.

Operacioni amerikan për vrasjen e gjeneralit iranian ishte mbështetur nga autoritetet në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi shprehu mbështetjen për “veprimet amerikane ndaj veprimtarive të Iranit në Lindjen e Mesme që kanë shkaktuar terror, paqëndrueshmëri dhe shqetësim global. Qëndrojmë së bashku në mbrojtjen e vlerave tona dhe mënyrës sinë të jetesës në kërkim të paqes e sigurisë”, shkroi ai.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, tha se “Kosova qëndron e palëkundur në përkrahje të Shteteve të Bashkuara në të drejtën për vetëmbrojtje. Veprimet e fundit vetëmbrojtëse ndaj gjeneral Soleiman-it janë mbrojtje, jo vetëm për ShBA-të por për lirinë dhe demokracinë gjithandej. Ne dënojmë ashpër sulmet e Iranit dhe çdo shteti që kërkon të shkatërroj paqen në Irak dhe vendet tjera. Në këto tensione Irani dhe përkrahësit e këtij shteti duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm që te mos eskalojnë situatën. Kosova qëndron pranë Amerikës dhe do ta shtojë përkrahjen ndaj Koalicionit Global të udhëhequr nga ShBA-të’ shkroi ai në rrjetet sociale.

Të hënën në mbrëmje Bashkësia Islame e Kosovës nëpërmjet një njoftimi tha se “zonja Igballe Berisha - Huduti, asnjëherë nuk ka qenë punëtore e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe rrjedhimisht deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe as me interpretimin dhe mësimet tradicionalet të fesë islame të aplikuara ndër ne me shekuj. Për më tepër, siç dihet tashmë, personi në fjalë ka predikuar doktrinën shiite e panjohur ndër ne më parë”, thuhet në njoftimin e kësaj bashkësie.

Udhëheqësi i forcave Kuds të Iranit, Qasem Soleimani, u vra në një sulm amerikan me dron. Shtetet e Bashkuara e fajësonin atë për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe për planifikim sulmesh të reja.

Vrasja e tij shkaktoi protesta dhe reagime të ashpra në Iran dhe Irak ndërsa udhëheqësit iranian dhe mbështetësit e tyre kanë bërë thirrje për hakmarrje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG