Të paktën 12 pjesëtarë të policisë së Kosovës u arrestuan gjatë një operacioni në shkallë të gjerë për mbylljen e kazinove të paligjshme në një fshat të komunës së Kamenicës në lindje të Prishtinës.
Qindra oficerë policie morrin pjesë në operacionin që u zhvillua në fshatin Karaçevë në kufirin me Serbinë gjatë të cilit u arrestuan edhe 23 persona.
Autoritetet thanë se ky ishte operacioni më i madh i këtij lloji në Kosovë dhe pasoi hetimet gati njëvjeçare.
Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku dhe policia e Kosovës thanë se operacioni ishte drejtuar kundër personave të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe veprimtari tjera kriminale.
Gjatë operacionit janë rrënuar të gjitha kazinotë, 12 syresh, të cilat kanë funksionuar në atë zonë dhe janë sekuestruar gjësende të ndryshme, si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në veprimtari kriminale, tha kryeprokuroria e Gjilanit.
Në mars të vitit 2019, parlamenti i Kosovës miratoi me procedurë të përshpejtuar ligjin që ndalon lojërat e fatit për 10 vjetët e ardhshme.
Ligji u miratua pak kohë pasi që dy persona u vranë në dy kazino në Kosovë, gjatë plaçkitjeve të armatosura.
Pas atij ndalimi veprimtari të tilla u tha se janë hapur në rrugë të paligjshme dhe fshati Karaçevë është përmendur shpesh si zonë e tillë. I shtrirë në zonën kufitare me Serbinë, ky fshat është përmendur edhe për raste të shkeljes së kufirit nga forcat kufitare serbe.
Muajin e kaluar forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë se më 7 gusht, kanë zhvilluar një patrullim “të sinkronizuar” me forcat e armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Njoftimi i KFOR-it, pasoi raportimet e medieve vendase se “forcat serbe kishin hyrë në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës”, gjë që nxiti reagime dhe kritika në adresë të qeverisë së Kosovës.
Operacioni i së premtes mbrëma u përshëndet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook tha se kjo “është dëshmi se institucionet e sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Kosovës. “U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të NORMALITETIT në çdo fushë”, shkroi ai.
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgëzoi punën e policisë së Kosovës, mirëpo theksoi se koka e krimit të organizuar nuk është në Karaçevë.
“Gjarpri i krimit e ka vetëm bishtin në Karaçevë, jo kokën. Uroj që të mos dal ajo e mbrëmshmja edhe një shfaqje më shumë e regjimit të vjetër. Pas aksionit të mbrëmshëm nevojitet prani e përhershme në Karaçevë të Dardanës”, tha ai të shtunën.
Përgjatë operacionit të së premtes mbrëma, sipas autoriteteve, kontrolle janë kryer edhe në Prishtinë.
Facebook Forum