Lidhje

Haradinaj: Askush nuk ka të drejtë të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë, ndërsa ritheksoi se luftë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër dhe kjo do të dëshmohet në të gjitha proceset.

Komentet e kryeministrit Haradinaj, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, i bëri këto komente pasi që disa ish pjesëtarë të asaj ushtrie janë ftuar nga prokuroria e posaçme për krime lufte në Kosovë për t’u intervistuar.

Prokuroria e posaçme nuk ka folur për këto ftesa që janë bërë publike nga avokatët mbrojtës të të ftuarve.

Në mesin e tyre janë Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, Sami Lushtaku e Sokolo Dobruna. Në mesin e atyre që kanë marrë ftesë është edhe Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë meqë nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është përballur dy herë me Gjykatën për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe është shpallur i pafajshëm, shkroi në facebook se “sakrifica e popullit të Kosovës deri te liria e pavarësia ishte e pashembullt në historinë e re të Evropës. Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e shenjtë dhe kjo është dëshmuar tashmë. Nga ne, janë kërkuar gjithnjë e më shumë sakrifica e përballje me drejtësinë, ndonëse ne ishim viktima të agresionit. Përgjigjja e qytetarëve të Kosovës dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, filtrave të drejtësisë ndërkombëtare ka qenë e menjëhershme dhe pa hezitim”.

Ai shkroi pos tjerash se “Gjykata Speciale, edhe një dëshmi se sa larg ka shkuar sakrifica jonë për një shtet të së drejtës, është edhe një sfidë në rrugën tonë përpara, të cilën së bashku do ta tejkalojmë dhe nga ajo do të dalim më unikë dhe më të fortë. Siç kemi kaluar shumë vështirësi për të arritur këtu ku jemi, të gjithë duhet ta kuptojnë se si shtet e shoqëri edhe këtë dhembje, pas Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut e EULEX-it, do ta kalojmë faqebardhë së bashku, sepse luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën. Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë”.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe "nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni".

XS
SM
MD
LG