Lidhje

Parlamenti miratoi një rezolutë që fajëson Serbinë për gjenocid në Kosovë


Me 79 vota për dhe asnjë kundër, parlamenti i Kosovës miratoi rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

“Në vitin 1999 forcat serbe kryen mbi 100 masakra në Kosovë madje në disa vende edhe i dogjën për së gjalli njerëzit, si në Breznik, Mitrovicë, Podujevë, Randobravë, Krushë e vogël dhe të madhe, Gjakovë, Matiqan, Izbicë, Llashticë e Gjilanit, Rrezallë. Gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë ushtruan dhunë seksuale ndaj 20 mijë personave. Gjatë këtyre viteve dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë duke konfiskuar çdo dokument zyrtarë në mënyrë që të zhduket çdo dëshmi”, tha duke paraqitur rezolutën, kryetari i komisionit për hartimin e saj, Bilall Sherifi.

Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës miratojnë një rezolutë të tillë, megjithëse për të është diskutuar që nga përfundimi i luftës.

Parlamenti pritet të themelojë edhe një komision shtetëror që do ketë mision hulumtimin e siç thuhet, gjenocidit gjatë luftës së fundit në Kosovë, që do të shërbente si bazë për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, një nismë kjo e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli.

Po ashtu në këtë seancë do të votohet edhe për ngritjen e një muzeu dhe një qendre përkujtimore për krimet e luftës.

Votimi i rezolutës pasoi një debat të gjatë të në parlamentin e Kosovës. Partitë politike shqiptare dhe ato të minoriteteve jo serbe i dhanë mbështetje nismës për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projekt rezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit, ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

“Sot e kemi tekstin e një rezolute që merret me krimin më të tmerrshëm që është bërë në Kosovë. Në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Teksti i referohet të gjitha raporteve ekzistuese ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krimet e gjenocidin”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ideja për themelimin e një gjykatë ndërkombëtare, ka ngjallur debate mbi vështirësitë dhe kushtet që kërkohen për themelimin e një institucioni të tillë. Ekspertët thonë se themelimi i një gjykate të tillë kërkon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot gjatë një vizite në qendrën për ruajtjen e eksponateve të rrobave të të vrarëve, se gjykata ndërkombëtare do të ndodh.

“Është papërgjegjësi dhe do të jetë e pafalshme në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrahin iniciativën tonë për gjykatë ndërkombëtare. Do të përgjigjen edhe para Kosovës, por gjithsesi edhe gjykata ndërkombëtare jam shumë i sigurt se do të ndodh edhe drejtësia edhe gjykata për gjenocidin serb”, tha zoti Veseli.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG